“Duam që Greqia të forcohet ekonomikisht, që të rritet dhe të dalë nga gjendja e papunësisë së madhe, e në veçanti nga papunësia e rinisë”,- ka thënë kancelaria gjermane Angela Merkel në një konferencë për shtyp në Berlin, pas takimit me kryeministrin grek Alexis Tsipras.
Nga ana e tij, lideri grek është shprehur se vendi i tij do të respektojë traktatet dhe do të ndërmarrë reforma.
“Duhet të bëhen ndryshime duke nisur edhe nga niveli i shoqërisë. Greqia ka nevojë për një miks politik për të kaluar situatën e keqe në të cilën ndodhet, ndaj kemi menduar të ndërmarrim një sërë reformash strukturore”,- është shprehur Tsipras.
Ai ka shtuar se “kemi lënë pas shpine një program ekonomik, i cili nuk shënon aspak një histori suksesi për Greqinë dhe që ka sjellë probleme të mëdha sociale, të cilat do të rregullohen e përmirësohen në të ardhmen.
Kryeministri grek ka përmendur edhe një herë çështjen e dëmshpërblimeve të luftës nga ana e Berlinit. “Është një problem më shumë moral se sa material, për të kaluar përherë dhe për të hedhur pas fashizmin e nazizmin dhe për të bërë të mundur që totalitarizmi të mos kthehet më”,- është shprehur Tsipras.
Sipas Merkel, reparacionet e luftës janë një çështje e mbyllur nga ana juridike dhe politike. Kancelaria ka shtuar se Gjermania është e ndërgjegjshme që dialogu me Greqinë duhet të vijojë më tej./tesheshi.com/