Të notosh në Nil, të mbash peshqirë të lagur, të thithësh nxehtësinë me thasë orizi – njerëzit nga nëntë vende nëpër botë tregojnë sesi po e përballojnë – ose jo – të nxehtin ekstrem.
Në Kajro, njerëzit notojnë në Nil dhe e thithin nxehtësinë nëpër shtëpitë e tyre me thasë orizi. Në Tokio, ata mbajnë ombrella. Fermerët në Bukhara i tremben së ardhmes së tyre, ndërsa në Jordani, refugjatët mbulohen me peshqirë të lagur.
Rreth e rrotull globit, njerëzit po përpiqen të përballin të nxehtin intensiv dhe të zgjatur. Si gjithnjë, më të prekshmit në shoqëri – të pastrehët, të moshuarit, të varfrit apo të margjinalizuarit – po vuajnë më shumë.
21-vjeçari Mahmoud Mohamed është student në Kajro, ku temperaturat kanë shkuar në 40 gradë:
“Unë jetoj në një shtëpi në ishullin Waraq në Nil, me xhaxhallarët e mi, familjet e tyre dhe gjyshërit. Kur ne ishim fëmijë, notonim në lumin e Nilit, dhe disa prej nesh, ende e përdorin këtë mënyrë për të hequr vapën.
Familja ime kurseu dhe bleu një kondicioner për dhomën e ndenjies, tani aty është vendi ku mblidhen të gjithë tërë ditën – përgatisin ushqimin, shohin televizor, luajnë apo studiojnë. Por nuk funksionon gjithnjë për shkak se elektriciteti është shumë i dobët.
Gjyshja ime, dikur vendoste çarçafët në frigorifer apo në ftohës, ose mbante një qese me ujë të ftohtë në shpinën tonë. Nëna ime bënte marifetin e mësuar në Egjiptin e Sipërm: përdorte thasë me orizë dhe elb për të thithur të nxehtin.
Unë e planifikoj ditën që ta kaloj në zyrat me ajër të kondicionuar të universitetit apo në punë, dhe kthehem në shtëpi vetëm natën. Marr metronë çdo ditë: kur është nxehtë, të gjithë janë me djersë dhe bie erë. Dhe ndonjëherë edhe metroja pushon së punuari për shkak të të nxehtit.”
38-vjeçarja Naoko Kawaguchi, asistente administrative në Tokio:
“Është shumë më keq këtë verë sesa verën e kaluar. Nxehtësia e reflektuar nga toka ka qenë shumë më intensive krahasuar me vitet e fundit. Unë përdor një ombrellë, por nuk më ndihmon shumë për shkak se afshi që vjen nga toka është kaq i nxehtë.
Përpiqem të eci në hije dhe po ashtu konsumoj shumë ujë, e më pas përdor ajrin e kondicionuar në shtëpi gjatë natës. Verërat e kaluara e planifikoja që të shuhej dy orë pas bija në gjumë, tani e lë të ndezur gjatë gjithë natës.
Kur largohem nga zyra për të ngrënë drekë, përpiqem të shkoj diku afër. Gjatë fundjavave përpiqem të mos dal jashtë kur dielli është lart. Ndonjëherë përpiqem të shpëtoj nga Tokio për ndonjë zonë më të freskët, por edhe atje është shumë nxehtë këtë verë.
Kur isha fëmijë mund të flija me dritaren hapur, por së fundmi, nuk mundem. Jam e shqetësuar për rritjen e temperaturave në të ardhmen për shkak të ndryshimeve të klimës. Shpresoj se Amerika do të qëndrojë në marrëveshjen e Parisit. Ne varemi nga ajri i kondicionuar gjithnjë e më shumë, që përdor elektricitetin, kështu që unë mendoj se po bëhet më nxehtë për shkak të tij”.
66-vjeçari Elmer Fecteau, jeton një ndërtesë të pastrehësh në Montreal, ku temperaturat arrijnë deri në 25 gradë celsius:
“Ka pasur ditë kur nuk mund të rrija shumë jashtë. Ka qenë shumë nxehtë në Montreal për disa javë në vit, por së fundmi, ke ndjesinë se kjo kohë është dyfishuar dhe kemi nxehtësi intensive dy herë më shumë.
Jetoj në këtë strehë dhe ndihmoj fëmijët në rrugë: ata nuk janë në një situatë aq të mirë sa e imja, për shkak se nuk kanë kondicioner.
Situata me ujin nuk është e mirë. Misioni shpërndan pije me elektrolite kundër dehidratimit, që zëvendësojnë kripërat dhe ato që nevojiten. Ne e dehidratojmë veten dhe nuk e kuptojmë. Më pas papritur ndjen marramendje: kështu ndodhin aksidentet. Nuk duhet të blesh ujë, duhet të blesh vetëm një mbajtës të mirë uji dhe ta mbash me vete. Por ne kemi nevojë për shatërvanë më ujë në parqe.
Unë kam bronkit dhe astëm. Bëj 2 kilometër për të shkuar në qendrën shëndetësore dhe më duhet të gjej një vend me ajër të kondicionuar që të ulem e të pushoj – ose të ulem dhe të kollitem – për shkak të ndotjes së ajrit dhe të nxehtit.
Përpiqem të gjej një pemë në qytet dhe ta përqafoj. Duhet të gjej ajër të kondicinuar, kështu që qendrat tregtare janë të mira dhe të mëdha. Njerëzit duhet të jenë të vetëdijshëm që të tjerët kanë nevojë për ajër të kondicionuar dhe ujë. Jepuni pak kohë dhe një buzëqeshje dhe pak ujë”.
80-vjeçari Damir Yadgarov është një fermer në Bukhara, ku temperaturat janë 35 gradë celsius:
“Prosperiteti i gjithë rajonit tonë varët nga cilësia e pambukut që prodhojmë. Për shkak të klimës ekstremisht të thatë, na duhet ta mbajmë tokën të lagur sa të mundemi gjatë verës për të marrë të vjela të mira në vjeshtë. Kjo bëhet shumë e komplikuar për shkak se uji avullon më shpejt ndërsa rriten temperaturat. Shumë fermerë lokalë, hyjnë në borxhe për të mbajtur të vaditura fushat e tyre.
Pak vjet më parë, u ndërtua një kanal i ri vaditjeje për të çuar ujin në fushat e Bukharës nga Amu Darya, lumi midis Uzbekistanit dhe Turkmenistanit. Disa lumenj më të vegjël afër Bukharës u thanë. Vetëm 20 apo 30 vjet më parë temperaturat nuk rriteshin kaq shumë, puna në ferma ishte më e lehtë dhe kishte më shumë shi në verë.
Duhet ta marrim këtë çështje seriozisht tani. Jeta mund të jetë vërtet e vështirë nëse temperaturat vazhdojnë të rriten”.
45-vjeçari Thanassis Ksaksiris, fermer dhe tregtar jeton në Athinë, me temperatura sipër 31 gradë:
Thanassis Ksaksiris, është punëtor bujqësie dhe shitës në tregun e fermerëve në Nea Smyrni, Athinë. Ai punon pesë ditë në javë duke shitur prodhimin tij në tregjet rreth Athinës dhe dy ditë duke punuar në fushat e Marathonas, ku ai jeton. Ai thotë se puna e tij mund të bëhet e padurueshme gjatë verës.
“Unë kam dy punë, ashtu si pjesa më e madhe e njerëzve që shesin në tregjet fermere: dy ditë në javë rris fruta dhe perime në fushat e Marathonas (qytet rreth një orë me makinë në veri-lindje të Athinës) ku jetoj së bashku me familjen time, dhe pesë ditë në javë i shes ato në tregje të ndryshme.
Puna jashtë është gjithnjë më e vështirë në nisje të valës së të nxehtit – ndërsa vazhdon, trupi përshtatet sa mundet dhe nis të mësohesh. Këtu në treg, puna gjatë pasditeve është e padurueshme pasi ne kemi ombrella sipër secilës stendë.
Puna në fushë është shumë më e vështirë: nuk ka hije, je vazhdimisht nën diell. Ne nisim punën në orën 6 të mëngjesit: ka dritë por ende jo edhe aq nxehtë. Pushojmë nga ora 11 e drekës dhe nisim sërish punën pas orës 4 të pasdites deri sa bie errësira. Po ashtu është vitale të kesh veshjen e duhur për diellin grek – veshje me ngjyra drite dhe kapele”.
27-vjeçari Logan Wang jeton në Pekin ku temperatura është mbi 35 gradë:
“Vala e të nxehtit këtë vit, ka qenë e dallueshme, e shoqëruar me lagështirë që e gjen rrallë për disa ditë me radhë – si të jetosh në sauna. Një koleg kujton se pesë apo gjatë vjet më parë, ai mund të freskohej në hijen e mesditës në një ditë vere, tani ai mbulohet nga djersa sapo del jashtë dhe ajri i kondicionuar është e vetmja zgjidhje.
Si një qytet verior në Kinë, Pekini ka zakonisht shira të dobët dhe pak lagështirë. Veshjet mund të thahen shpejt pas larjes, këtë vit ato dun javë të thahen. Ka shira të dendur papushim, dhe ndjehem sikur po jetojmë në një qytet bregdetar.
Në të kaluarën, vetëm temperaturat që thyenin rekorde kapnin vëmendjen e publikut. Shtëpia ime e lindjes është në Wuhan që njihet për motin e tij të zjarrtë në verë. Por nëna ime ende mund të vrapojë edhe në ditët e verës. Temperaturat më të larta atje së fundmi, shënuan 38 gradë në 21 korrik dhe qëndruan për disa ditë. Është vetëm çështje kohe derisa të arrijnë 40 apo më shumë.
Tashmë, njerëzit shpresojnë t’i kalojnë pushimet e verës në male, ku temperatura është më e ulët. Në qytet, ngrihen shumë ndërtesa betoni që kanë aftësi të kufizuar për të thithur nxehtësinë. Ekosistemi zotëron aftësinë e vet për të përshtatur temperaturat dhe për të balancuar kushtet e jetesës. Kemi nevojë të gjejmë një mënyrë për të rindërtuar ekosistemin, për të rikthyer balancën”.
27-vjeçari Hamda Al-Marzouq, është organizator në komunitet në kampin e refugjatëve, Za’atari në Jordani ku temperatura është 37 gradë:
“Është zonë shkretëtinore dhe ne po vuajmë. Është verë kështu që ka pluhur. Ne jetojmë në një karvan, dhe është kaq nxehtë pasi ato janë ndërtuar prej metali.
Ne kemi mënyra të ndryshme për ta përballuar të nxehtin. Zgjohemi herët në mëngjes dhe e lagin dyshemenë me ujë. Më pas spërkasim edhe veten me ujë. Pjesën më të madhe të kohës mbajmë peshqirë të lagur në kokë. Në stuhitë e rërës, nuk mund të dalim jashtë. Ato janë të papritura dhe të shpeshta. Na duhet të mbyllim dritaret, bëhet një situatë mbytëse. Lagim peshqirët dhe përpiqemi të marrim frymë përmes tyre. Kemi probleme me astmën. Im bir ka infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, rregullisht.”
Kampi i refugjatëve Za’atari në Jordani strehon 80 mijë refugjatë sirianë.
“Ka kufizime në energjinë elektrike në kamp. Ne marrim energji nga ora gjashtë deri në mbrëmje e kjo zgjat deri në katër të mëngjesit. Por ne kemi nevojë për freskuese elektrikë gjatë ditës kur janë edhe temperaturat më të larta të ditës. Ne dikur mblidhnim ujë me bidona dhe e mbartnim nga një distancë e largët. Tani, me një rrjet ujor, gjërat janë më të lehta. Nuk na duhet të luftojmë në radhë të gjata për të marrë pjesën tonë të ujit”.
Urbanisti 34-vjeçar Otar Nemsadze jeton në Tbilisi me temperatura 33 gradë:
“Kjo verë ka qenë ekstreme, shkoi mbi 40 gradë në korrik, që ka pasur mesatare historike 30 gradë. Për herë të parë, instalova ajër të kondicionuar në shtëpinë time. Gruaja ime është shtatzënë, ne thjesht nuk mund të mbijetonim në shtëpi me atë të nxehtë të padurueshëm. Ne përpiqemi ta shmangim përdorimin e tij se nuk është miqësor me mjedisin, u përpoqëm ta kalonim me freskuese por ishte e pamundur”.
Tbilisi në Gjeorgji përjetoi temperatura 40 gradë në korrik.
“Njerëzit që e përballojnë largohen nga Tbilisi në gusht, për të shkuar në shtëpi verore në një prej fshatrave të vegjël rreth e rrotull. Por për shkak të këtij të nxehti kaq të madh, njerëzit nuk dalin jashtë gjatë ditës, ata mundohen të largohen nga qyteti më herët. Ka shumë smog, njerëzit nuk dalin më jashtë gjatë ditës. Qyteti duket i zbrazur.
Përshtypja ime është që, për të paktën pesë vjetët e fundit apo më shumë, po bëhet gjithnjë e më nxehtë çdo vit. Është shqetësuese. Qeveria lokale po përpiqet të përmirësojë ndotjen e ajrit, por ka shenjestruar makinat private. Nuk është vetëm çështje makinash, po edhe për njerëzit që jetojnë në qytet. Kemi nevojë për më shumë ndërgjegjësim, por duket se çështja e ndryshimeve të klimës ka prioritet të ulët. Njerëzit janë më të shqetësuar për gjëra të tjera.”
Përgatiti: Juli Prifti- /tesheshi.com/