Meghan Markle zbuloi se ajo po mendonte për vetëvrasje për shkak të mënyrës agresive se si mediat britanike shkruanin për të dhe se familja mbretërore nuk e lejoi të ofrohej ndihmë. Ajo i shpalosi këto pretendime në një bisedë me prezantuesen e famshme televizive amerikane Oparah Winfrey, intervista e tyre e parë televizive që kur morën vendimin për të lënë Mbretërinë e Bashkuar dhe rolet e tyre në familjen mbretërore.
“Thjesht nuk doja të jetoja më. Këto mendime ishin konstante, të frikshme, reale dhe shumë të qarta”, tha Dukesha e Sussex në intervistën e saj të publikuar në CBS të dielën në mbrëmje.
“U ktheva te familja mbretërore dhe thashë se duhet të kërkoja ndihmë psikologjike diku. Thashë që nuk e kisha ndjerë kurrë atë mënyrë(), më thanë që nuk munden, sepse kjo nuk do të ishte e mirë për familjen”, shtoi ajo.
Meghan Markle tha në intervistë se ajo nuk ishte ajo që e bëri të qajë Kate, Dukeshën e Cambridge, pak para martesës së saj me Princin Harry, në kundërshtim me thashethemet për incidentin, të cilat u raportuan nga tabloidët britanikë.
“Ndodhi krejt e kundërta,” tha Dukesha e Sussex. “Të gjithë në familjen mbretërore e dinin që nuk ishte e vërtetë“, shtoi ish-aktorja 39-vjeçare amerikane, e cila tha se incidenti shënoi fillimin e një “fushate të vërtetë shpifjesh” dhe një “pikë kthese” në marrëdhënien e saj me familjen mbretërore. Kate më vonë kërkoi falje, tha ajo.
Ish-aktorja tha më tej se anëtarët e familjes mbretërore ishin të shqetësuar për ngjyrën e lëkurës së djalit të saj Archie para lindjes së tij. Ata nuk e dinin “sa e zezë do të ishte lëkura e tij”, “çfarë do të thoshte dhe si do të dukej”, tha ajo.
Ajo gjithashtu tha që Pallati Buckingham i mohoi mbrojtjen fëmijës dhe se anëtarët e familjes mbretërore gjykuan se Archie nuk duhej t’i jepej një titull fisnik, megjithëse ky ishte zakon.
Harry shprehu keqardhje që familja mbretërore nuk kishte dënuar publikisht komentet raciste në një pjesë të mediave britanike.
Harry tha se babai i tij, Princi Charles, nuk e mbështeti atë në ato kohë të vështira, megjithëse ai “përjetoi diçka të ngjashme dhe e di se çfarë është dhimbja”. “Do të duhet të punojmë më shumë” për të rregulluar marrëdhënien tonë, “por në të njëjtën kohë unë gjithmonë do ta dua atë”, tha ai.
Princi Harry dhe Meghan janë në pritje të fëmijës së tyre të dytë, një vajzë, e e cila vjen pas lindjes së djalit të tyre Archie në maj 2019.
“Duke pasur një djalë dhe një vajzë, a mund të duam më shumë?”, tha me entuziazëm Princi Harry i cili u martua me Meghan në 2018.
Ata u martuan në fshehtësi tre ditë para ceremonisë madhështore zyrtare, e cila u shikua nga miliona spektatorë në të gjithë botën, pranoi Meghan në një intervistë.
“Ne u martuam tre ditë para dasmës zyrtare”, tha ajo, duke rrëfyer se si ata shkëmbyen betimet e martesës para Kryepeshkopit të Canterbury Justin Welby para ceremonisë së 19 majit 2018. “Askush nuk dinte për këtë. Ne e thirrëm kryepeshkopin dhe i thamë: ‘dëgjo, kjo shfaqje është për botën, por ne duam që ajo të jetë vetëm mes nesh’” tha ajo në intervistën me Oprah Winfrey.
Kritikët i akuzojnë ata se dëshirojnë të mbajnë gjithë shkëlqimin e pozicioneve të tyre, por pa angazhimin që ata kërkojnë ose mbikëqyrjen që ata sjellin, ndërsa mbështetësit e tyre argumentojnë se trajtimi i Harry dhe Meghan tregon një institucion të vjetëruar britanik që po përplaset me një grua moderne me një aluzion të racizmit. Kjo akuzë ka të ngjarë të marrë hov pas komenteve të Markle.
Pallati Buckingham nuk e komentoi intervistën, por sapo është lëshuar një deklaratë ku thuhet se do të hetohen akuzat për “ngacmim”, duke shprehur “shqetësim të madh”.
Markle tha se familja mbretërore jo vetëm që nuk e mbrojti atë nga komentet e liga, por gjithashtu gënjeu për të mbrojtur të tjerët.
“Kur u martuam, gjithçka u përkeqësua dhe atëherë kuptova që jo vetëm që nuk do të mbrohesha, por ata po gënjyen për të mbrojtur anëtarët e tjerë të familjes,” shtoi Markle.
“Eshtë një familje dhe në të ka njerëz që drejtojnë institucione. Këto janë gjëra të ndryshme që duhet të ndahen, sepse mbretëresha, për shembull, ka qenë gjithmonë e mrekullueshme për mua”, theksoi ajo. /tesheshi.com/