Thuajse të tëra mjetet turke të informimit i kanë dhënë hapësirë kualifikimit të Shqipërisë për në Europianin e vitit të ardhshëm në Francë.
Ja çfarë shkruhet me të madhe në faqen elektronike të NTVSPOR-it, kanalit më serioz sportiv në Turqi: Shqipëria shkruajti historinë.
Më tej vijohet: “Futbolli shqiptar e përjetoi suksesin më të madh me fitoren 0-3 të marrë ndaj Armenisë në transfertë. Shqipëria, e cila më parë nuk ka shkuar kurrë në finalet e një turneu ndërkombëtar, duke përfunduar e dyta në grupin I tregoi sukses me shkrimin e emrit në finalet e Kampionatit Europian të Futbollit në Francë.
Me të njëjtin titull e hap shkrimin e saj dhe gazeta e njohur sportive Fotomaç, Arnavutluk tarih yazdı, për të vijuar më pas me një përshkrim të ndeshjes së djeshme, ku përmend mes të tjerash Cikalleshin, i cili luan për Istanbul Bashakshehirin, si dhe Canën, që ka kaluar dy vite te Gallatasaraji.
Po njësoj e nis materialin e vet dhe e përditshmja Hürriyet, me të njëjtat fjalë, veçse përcjell dhe pamje filmike të festimeve mbrëmë në Tiranë.
Ja ç’shkruan gazeta e nohur: “Shqipëria, një nga shtetet më të vogla të Europës, arriti një nga sukseset më të mëdha në historinë e futbollit. Ajo përfundoi e dyta në grupin I, duke fituar të drejtën për të shkuar në finale.”
Këtë frymë festive përcjell dhe agjencia e lajmeve Dogan (DHA; Doğan Haber Ajansı), e cila pasi tregon për kualifikimin e përfaqësueses shqiptare, pasqyron gëzimin e shprehur në Tiranë dhe Prishtinë.
Agjencia u lë një vend dhe telefonatave të presidentit Nishani dhe të kryeministrit Rama me futbollistët e kombëtares kuqezi. /tesheshi.com/