Mediat serbe janë xhindosur nga një deklaratë e Ministrit të Diasporës, Pandeli Majko për heqjen e doganave me Kosovën. Si Kurir ashtu edhe Blic flasin për “Provokacia”.
“Me një janar, në vitin 2018 ne shqiptarët e krahut tjetër po ju presim t’i hapim kufijtë. Le të bëjmë këtë veprim europian”, ka thënë Majko, duke folur edhe në emër të kryeministrit aktual, Edi Rama, në forumin ekonomik të diasporës shqiptare.
Por, kjo sipas mediave serbe vlerësohet si provokim ndaj shtetit serb.
“Kurir” shkruan se në fund të fjalimit kryeministri Haradinaj dhe presidenti Thaçi e duartrokitën thirrjen e Majkos duke përkrahur idenë e hedhur nga ministri shqiptar.
“Kurir” kujton se Majko ka qenë kryeministër në kohën që NATO ka bombarduar Serbinë, gjatë konfliktit të saj me Kosovën
Ndërkaq, gazeta tjetër serbe Blic, shkruan se Majko në këtë forum foli në emër të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Aty theksohet se në takim kanë marrë pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe Presidenti Hashim Thaçi. /tesheshi.com/