Pa asnjë përvojë diplomatike, me mangësi dhe në përvoja politike, kryeministri Abdullah Hoti ka paralajmëruar se do jetë ai udhëheqësi i dialogut me Beogradin.
Në një mbledhje të qeverisë, ai e bëri të qartë këtë fakt, kur tha se “tani jemi duke punuar që të kompozojmë një ekip shtetëror që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces, sigurisht kryesuar nga kryeministri, në bazë të kompetencave kushtetuese”.
“Kosova është e përgatitur për këtë proces. Është bërë një punë e madhe në qeveritë e kaluara që tash është duke u sistemuar në secilën prej temave të mundshme në procesin e dialogut që sigurisht duhet të fillojë nga tema kryesore që është njohja reciproke”, shtoi Hoti.
Ky zhvillim me Hotin, pra kur një emër me kredite jo të larta politike, për herë të parë me një përgjegjësi të lartë shtetërore, siç është ajo e kryeministrit, i qëllon të jetë “i pari” i dialogut, procesi më delikat në historinë e Kosovës, vjen pas “eliminimit” të Thaçit me anë të aktakuzës së Speciales.
Ndërkohë, siç dihet, Thaçi ka një backraund të pasur politik, si ish-komandat i UÇK-së, si kryesues i delegacionit në Rambuje, por dhe si shpallës i Pavarësisë.
Ky është dhe debati më i madh pas aktit të Speciales; kriza e lidershipit kosovar në dialog, e kjo pas mungesës së Thaçit. Nga ana tjetër, Vuçiç tha se ai e mirëpriste homologun Thaçi në dialog, pavarësisht aktakuzës, të cilën nuk pranoi të komentojë. /tesheshi.com/