Conor Mc Gregor, rivali kontroversial i kampionit të botës për peshat e mesme në boks, Floyd Mayweather, nuk “i jep” më shumë se 2 raunde kundërshtarit të tij, në ndeshjen e kësaj fundjave.
Në një intervistë dhënë për “Sky Sport”, irlandezi ka deklaruar se pas 2 raundesh, Mayweather do të jetë pa ndjenja në tapet.
“Një pjesë e imja më thotë që kjo ndeshje të jetë një spektakël që zgjat, por në ring nuk do të vendosë ajo pjesë, por grushti im, i cili do ta shtrijë atë në tapet, pas dy raundesh”, është shprehur 29-vjeçari, i cili ka kaluar nga boksimi miks me arte marciale, në boksin klasik, vetëm për të shkurorëzuar mbretin Mayweather, i cili edhe pse në moshën 40-vjecare dhe i tërhequr nga boksi, e pranoi një duel të fundit.
Edhe menaxheri i Mc Gregor, në një intervistë të një dite më parë, “nuk e diskuton” fitoren e irlandezit.
“Nëse Floyd mbrohet, mund ta shtyjë knock out-in deri në raundin e gjashtë. Nëse sulmon hapur, do të rrëzohet mbase që në raundin e parë”, u shpreh ai. Ndërkohë amerikani ka preferuar të jetë “më i kursyer” në fjalë dhe më i përqëndruar në stërvitje.
Ndërkohë “në krah të tij”, ka dalë dhe një tjetër ish-plurikampion boksi në peshat e rënda, Vladimir Kliçko, sipas të cilit, Mc Gregor nuk ka asnjë shans ndaj amerikanit dhe mënyrës së tij unike të të boksuarit. Në një kohë kur tonet nxehen, e 1 miliard euro “po paketohen”, afrimi i ditës së ndeshjes, ka shtuar vëmendjen e botës për atë që konsiderohet “ndeshja e shekullit”. /tesheshi.com/