Jep frytet e para operacioni ndërkombëtar për kapjen e bosëve shqiptarë të drogës, që kanë investuar paratë e tyre në Shqipëri.
Tesheshi.com, prej një viti ka shkruar mbi operacionin e gjerë që ka nisur nga policitë europiane dhe DEA amerikane në kapjen e disa bosëve shqiptarë të drogës në Europë, një pjesë e madhe e të cilëve , kanë pranuar të bashkëpunojnë.
Në deponimet e tyre, bosët shqiptarë në Spanjë, Britaninë e Madhe, Gjermani, Itali, Belgjikë e Zvicër, kanë deklaruar se koka e vërtetë e trafiqeve gjendet në Shqipëri.
Dhe në fakt, tashmë ka nisur të korret edhe fryti i parë i bashkëpunimit, megjithëse “pjesa e luanit” e këtyre dosjeve pritet të shqyrtohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK, pas instalimit të tyre.
Pikërisht falë këtij bashkëpunimi, është arritur që të zbulohet në Shqipëri, koka e një grupi të madh trafiqesh nëpërmjet Spanjës, i cili është një biznesmen i njohur i pajisjeve hidrosanitare.
Ai është Nikolin Janina, i cili është pronari i kompanisë Procelanosa, një ndërmarrje e madhe me fitime kolosale.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur që të sekuestrohen të gjitha asetet në pronësi të Janinës, një pjesë e madhe e të cilave janë troje në bregdet.
Bëhet fjalë për 4 milionë euro asete, që me vendim të gjykatës të Krimeve të Rënda i janë sekuestruar Janinës.
Ai tashmë përbënte një pjesë të mbyllur apo të perënduar të trafikut të drogës në Spanjë, megjithëse aktiv. Kjo sepse Janina ishte një nga bosët e tregtimit të heroinës, lëndë narkotike që po njeh një ulje në xhiro edhe si pasojë e uljes së kërkesës. Shtresa e klientelës së drogës në Europë, kryesisht ajo që është në gjendje më të mirë ekonomike është e orientuar nga kokaina, çmimi i së cilës edhe si pasojë e rritjes së sasisë të trafikimit, ka shënuar një ulje.
Ndërkohë futja e grupeve shqiptare prej mbi 5 vitesh në xhiron e kokainës jo vetëm që ka çorientuar tregun në Europë por ka futur policinë europianë në qorrsokak, si për shkak të dhunës së madhe që vepron mafia shqiptare, por edhe sasisë së mëdha të parave që nuk po kontrollohen më dhe ka rrezik të përdoren për qëllime kriminale.
Ndaj dhe ka nisur një operacion i madh, ku si aktor kryesorë në lojë është DEA amerikane.
Agjencia Federale për Luftën ndaj Narkotikëve në SHBA, funksionon si një department mjaft autonom në fonde dhe operativitet, pasi direktivën edhe piramidën e ka direkt nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara.
DEA ka arritur mjaft suksese, por majat e saj i ka me zbulimin e rrjetit të trafikimit të heroinës direkt nga Vietnami në vitet 70 dhe kapjen e një grupi të madh të policisë së Nju Jorkut të përfshirë në rrjet, ndërkohë që maja tjetër është natyrisht operacioni i gjatë për kapjen dhe asgjesimin e kartelit më të fuqishëm të drogës, atë të Medelinit që drejtohej nga i tmerrshmi Pablo Ecobar.
Dhe meqë jemi tek Escobari dhe tek DEA, disa media greke e cilësuan Klement Balilin e famshëm si “Escobarin” e Ballkanit.
Për ish-drejtorin e Transportit të Sarandës, i emëruar nga LSI-ja u fol shumë në atë kohë nga opozita, madje edhe Ilir Meta kërkoi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare pikërisht për Klement Balilin, një përdorim aq i ulët i këtij institucioni prestigjoz.
Por prej më shumë se 5 muajsh, ata që përmendnin Balilin mbi tre herë në ditë, sot e kanë kyçur gojën. Pse vallë.
Ministri i ri i Brenddshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi mbrëmë tek Ilva Tare, se moskapja e Balilit është përgjegjësi direkte e policisë, kur dihet se dosja e tij i kaloi prokurorisë shumë vonë pasi humbi në përkthim në ministrinë e drejtuar në atë kohë nga Ylli Manjani.
Për të ardhur tek DEA, ajo është interesuar direkt me Balilin, pasi ky i fundit dyshohet se aktivitetin kryesor të trafikut e kryen në Greqi, ku ndodhet dhe një zyrë e fuqishme e Agjencisë së SHBA për Lufttën ndaj Narkotikëve.
Një pjesë e mirë e trafikantëve shqiptarë tashmë janë në rrjetën e DEA-s dhe flitet për 12 të tillë që kanë pranuar bashkëpunimin.
Pak muaj më parë në Greqi u arrestua një nga bosët shqiptarë të kokainës, pikërisht Arjan Shenaj, një biznesmen shumë i fuqishëm fierak, i cili kishte lidhje direkte me kartelin e fuqishëm të Kalit në Kolumbi.
Operacioni i kapjes së Shenajt dhe partnerëve të tij tashmë dihet se është një kombinacion perfekt i DEA-s, i cili natyrisht është shtrirë edhe më tej, dhe zbërtheu të gjithë skemën e trafikut të drogës dhe pastrimin e parave.
Të gjithë këto operacione kanë arritur në një përfundim të rëndësishëm: që pjesa më e madhe e parave dhe drejtimit të gjithë këtij trafiku të fuqishëm gjendet në Shqipëri dhe në duar shumë të fforta.
Por siç mësohet, thuajse aspak, ose shumë pak e këtyre dosjeve janë në dijeni të autoriteteve shqiptare.
Si për Nikolin Janinën, ashtu edhe për bosët e tjerë, SHBA dhe vendet e BE-së presin që të nisë punën Byroja Kombëtare e Hetimit, të cilën FBI e kontrollon plotësisht.
Ata i druhen një dekonspirimi të informacioneve, gjë që ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Ndaj dhe BE e SHBA kanë ndërhyrë direkt në reformën në drejtësi, duke pasur pjesë të rëndësishme të procesit në duart e tyre, që të sigurojnë maksi-operacion të madh që shkon te “Peshqit e Mëdhenj”.
Deri atëherë të gjithë “peshqit” janë në ankth se ç’përmbajnë këto dosje.
Dalja në det e ndonjë “cironke” si bosi i Porcelanosës janë thjesht një sinjal që thesi është shumë i madh… /tesheshi.com/