Një thirrje ekstreme është shënuar në parlamentin grek, përgjatë debatit mbi marrëveshjen e emrit të ri me palën maqedonase.
Deputeti i Agimit të Artë, Konstantinos Barbarousis bëri thirrje që ushtria të arrestojë krerët shtetit.
“I bëj thirrje ushtrisë që të përmbushin betimin e tyre duke e arrestuar kryeministrin Aleksis Tsipras, (Ministrin e Mbrojtjes Panos Kammenos dhe presidentin Prokopis Pavlopoulos, për të ndaluar këtë tradhti”, tha Barbarousis.
Thirrja shkaktoi tension në parlament, ku kryetari Nikos Voutsis, i cili i thirri në mbledhje të jashtëzakonshme krerët e grupeve parlamentare, i cilësoi fjalët e Barbarousis si “ftesë e hapur për grusht shteti”.
Duke deklaruar se partia me tipare neo-naziste Agimi i Artë ka për qëllim të provokojë dhunë ara nënshkrimit të marrëveshjes mes Athinës dhe Shkupit, Voutsis propozoi që të ndalohet pjesëmarrja e tyre në seancat e kuvendit në lidhje me këtë çështje, gjë që u miratua nga të gjitha partitë me përjashtim të vetë Agimit të Artë. /tesheshi.com/