Mark Markez vjen e shkon si “uragan” në Filip Ajlënd, të Shteteve të
Bashkuara të Amerikës.
Spanjolli ka bërë garën e sezonit në Moto GP, të dielën në mëngjes, duke fituar pas disa dueleve të ashpra, e duke treguar “muskujt” në një garë shumë të rëndësishme për këtë vit.
Piloti i Hondës ka fituar garën e 6-të të sezonit, por mbi të gjitha, ndoshta “ka
hipotekuar” edhe titullin, pasi është shkëputur 33 pikë nga rivali më i afërt, Doviciozo i Dukatit.
Gara e Filip Ajlënd u duk se nuk nisi mbarë për spanjollin, i cili edhe u prek nga piltoi Zarko, por e ruajti ekuilibrin dhe nuk u rrëzua. Më pas Markez ka nisur duelet me rradhë, ku u përfshinë Rosi, Kratçlou, Zarko e Vinjales, duke i kaluar të gjithë të tjerët, e duke fituar garën, e mbase edhe titullin. Kjo edhe për faktin se rivali i tij Doviciozo, nuk arriti më tepër sesa vendi i 13-të, edhe për faj të një “lëshimi” që bëri në fund të garës.
Në vendin e dytë në garën e Amerikës, u rendit Valentino Rosi me Jamaha, ndërsa i treti, piloti tjetër i Jamahës, Maverik Vinjales.
Pas kësaj gare, Markez mjafton të mos “humbë” 7 pikë në pistën e Malajzisë, të dielën e ardhëshme, ndaj Doviciozos, për tu shpallur sërish kampion i Moto GP, disa gara para përfundimit të sezonit.