Festat e fundvitit mbi 400 të burgosur nuk do t’i kalojnë në qeli, por pranë familjeve të tyre. Ata do të përfitojnë nga amnistia, ose falja e dënimit, siç njihet ndryshe e kthyer tashmë në një praktikë e çdo fundi viti. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Integrimit Europian.
“Nuk besoj që amnistia është zgjidhja e problemit. Amnistia është zgjidhja e dy muajve, pra dy muajt e parë të vitit të ardhshëm ju mund t’i zgjidhni me amnisti dhe ne po e përgatisim, por nuk është kjo zgjidhja. Duhet të ndryshojmë mentalitetin e ndjekjes penale, apo siç na pëlqen ta themi, duhet ta “Europianizojmë”. Mua më pëlqen të them të jetë efiçente. Kjo është ajo që po përpiqemi të krijojmë, patjetër bashkë dhe me një amnisti”, u shpreh Manjani.
Po ashtu ministri pranoi se drafti i amnistisë është përgatitur dhe se shumë shpejt do t’i dërgohet qeverisë për miratim. Sa u përket kategorive, ata që do të përfitojnë ata që janë dënuar për krime të lehta, personat që ndodhen në fund të dënimit të tyre si edhe gratë.
Falje do të përfitojnë edhe grupmoshat 17-21 vjeç dhe gratë mbi 55 vjeç, ndërsa burrat mbi 60 vjeç, të dënuar për vepra të konsideruar të lehta, duke përjashtuar krime si vrasja, grabitja me armë e dhunë, armëmbajtja dhe krimet ndaj jetës e pronës. Për këto vepra mund të ketë thjesht reduktimi i dënimit, por jo falje të plotë. /tesheshi.com