– Demokracia në partitë shqiptare ka vdekur
– Cilësia e qeverisëse nuk kritikohet vetëm nga Blushi
-Rama po qeveris me parti përtej së majtës dhe afër së djathtës
Nga Eva Gjura
Pedagogja e njohur Majlinda Keta, edhe pse momentalisht nuk kontribuon direkt në jetën politike, nuk nguron të japë mendimin dhe opinionin e saj për zhvillimet politike ne vend dhe konkretisht për mënyrën e qeverisjes së vendit nga qeveria Rama.
Në një intervistë për ‘tesheshi.com’, zonja Keta, shprehet se vendi po qeveriset me ndryshim të formulës politike. Ajo shprehet se Rama, po qeveris pa disa parti të ASHE fituese në korrik 2013-të, ndërkohë që koalicioni qeverisës i elektoraleve të 21 qershorit ka më shumë parti përtej së majtës dhe afër të djathtës.
-Prej gati dy vitesh vendi po qeveriset nga e majta. Si po punon kjo qeveri?
Që vendi po qeveriset prej 2 vitesh ky sigurisht është një fakt i njohur. Po qeveriset edhe me ndryshim formule politike, asaj si fitoi kjo e majtë dhe asaj me të cilën po qeveris me formulën koalicion. Duhet pohuar që po qeveris pa disa parti të ASHE fituese në korrik 2013-të ndërkohë që koalicioni qeverisës i elektoraleve të 21 qershorit ka më shumë parti përtej së majtës dhe afër të djathtës.
Me këtë dua të them që fitoi bashkë me Gjinushin e të majtë të tjerë dhe po bashkëqeveris e konkuron bashkë me një pjesë të së djathtës me të cilën nënkuptoj partinë e z. Topi dhe partinë e z. Idrizi, të dyja bashkëqeverisëse e së djathtës së 8 viteve para 2013-tës. Kjo në fakt është rikonfirmim i qasjes në vazhdim i z. Rama qysh prej kur mori drejtimin e Partisë Socialiste pas 2005-sës dhe shpalli filozofinë e tij politike “Përtej së majtës dhe të djathtës”.
Nëse e shtojmë pyetjen me atë se si po qeveriset do të thoja që ka akoma shumë punë për të bërë për ta cilësuar si qeveria e mirëqeverisjes, kjo, pasi rendet pas politikave “reformatore” që në fakt janë korrektim pas korrektimi, në atë që la Berisha, por dhe në ato që mund ti quaj novatorizma të vjetra e të dështuar. Janë më së shumti politika sektoriale mikro se sa perceptohen se japin efektin makro në sektorët përkatës apo ti referohen më të mirës për procesin zhvillues referuar vendimeve që marrin brenda fushës.
Vlerësoj përpjekjet për rendin dhe institucionin e policit në shërbim sikurse dinamizmin e Artan Lames si institucion, ndonëse si politikë e quaj vulën mbi shëmtinë politike dhe anarshizmit që solli ligji famëkeq 7501 i Berishës. Në Shqipëri e drejta e pronës dhe pronarët e vërtetë janë viktimat e politikës 25-vjeçare, në vijim edhe këto 2 vite.
Reforma territoriale është një sukses, por e papërfunduar në kompetencat që i njeh strukturave të reja 1 muaj para votimit. Kam frikë që edhe kjo do përfundojë si reforma me minibashkitë në Tiranë tek të cilat decentralizimi nuk shkoi me forcë e financa kurrë dhe sot pas 15 vitesh, pa u vënë kurrë në eficencë, mbyllin ciklin pa sukses.
– Çfarë mendoni se nuk shkon mire në këtë qeverisje dhe çfarë duhet ndryshuar?
Së pari, zorr se ka analist apo opinionist që këtë lloj qeverisje mund ta cilësojë si qeverisje të majtë. Kjo referuar 3 fushave më të rëndësishme, sfidante të së majtës, shëndetësisë, arsimit, punësimit. Aty nuk ka qartësi konceptesh politike në reformat që janë ndërmarrë, p.sh. referuar faktit në se arsimi trajtohet “shërbim” apo “e mirë publike” apo kthimi dhe tërheqja nga disa variante të ligjeve në arsimin parauniversitar apo atë të lartë.
I bashkohet kësaj logjike shqetësimi i skandalit të fundit i denoncuar në shëndetësi me fondet publike. Politikat e punësimit në 2 vite, sollën zhurmë për zyra me infrastruktura të mira për punësim, por nuk po gjenerohet qoftë edhe një politikë e sigurt, e re e zhvillimit përmes punësimit. Shqipëria vazhdon me fasoneritendencën gjë e cila nuk na çon larg dhe është e kritikueshme kur mbetet e vetmja në trend.
Së dyti, qeverisja e mirë ka disa karakteristika që japin refleksione shumë të shpejta në qytete dhe qytetarë, pushtetet vendore të tyre. Rasti sërish i ngërçit në fonde dhe bashkërendim punësh i qeverisjes së majtë dhe bashkisë së Tiranës së drejtuar nga fituesi i djathtë, na kujtoi se edhe kur binomi është me 2 të rinj drejtues në politikën e 2 kampeve, ai mbeti në paramentrat e binomit të ngërçit Berisha- Rama në Bashki.
Kjo formulë destruktive e përsëritur në 2 rotacione flet për një mangësi të formimit me standarde përgjegjësie të lidërve politikë qeverisës ndaj popullit e votuesit, sikurse dhe për mosfunksionim kodesh etike politike dhe lojës në demokraci mes konkurrentëve politikë. Vazhdon ende sjellja e shfaqur agresive mes tyre, ndonëse nëntoka e tyre njeh shumë afera bashkëpunimi në interes grupi përtej “armiqve politikë”. Populli këto fenomene tashmë i ka të njohura dhe të përjetuara në cilësinë e viktimës.
Së treti, në Shqipëri, edhe nën këtë qeverisje nuk ka llogaridhënie as publike as në forume politike, por ka vetëm transparencë komunikimi për informim në rrjete sociale mbi atë se ku janë qeveritarët dhe çfarë po ndodh. Po kjo nuk është qeverisje transparente dhe as qeverisje koalicioni nën transparencë. Ndahet pushteti me përqindje dhe jo me më të mirët përfaqësues të të gjithë koalicionit për të mirë qeverisur. Kjo ka sjellë që një pjesë sektorësh po qeverisen të atakuar publikisht për nivelin mediokër të drejtimit ministror.
E majta zotëron pasuritë më të mëdha të intelektualëve, kapitale humane sektoriale me përvoja dhe karriera suksesi ndërsa në të njëjtën kohë sheh që kategori të diskutueshme në sukses, karrierë e zë publik drejtojnë institucione dhe drejtori strategjike në disa ministri. Pra, si të thuash kjo qeverisje nuk ka dashur të luajë me maksimizimin e suksesit dhe arritjeve. Mbase e bën pas rezultateve të 21 qershorit.
-Kryeministri Rama shprehet vazhdimisht,se ky është, drejtimi i duhur për qeverisjen. A është vërtet ky drejtimi i duhur. Po zhvillohet ekonomikisht ky vend?
Pohimi i Ramës dhe e duhura e nënkuptuara i përkasim vetëm atij si Kryeministër dhe ambicieve të tij qeverisëse në koalicion. Mua personalisht më shqetëson fakti që në këtë fushatë të zgjedhjeve lokale palët flasin e sulmojnë me argument të politikës qendrore jo lokale ndërkohë që ish-drejtuesit e majtë të komunave dhe bashkive duhet të ishin në kulmin e mbrojtjes së sukseseve të tyre ndërsa atyre të djathtë i lindte alibia për mossukses për ngërçe e bashkëpunimit mes palëve qendrore dhe lokale, të ndryshme në politika zhvillimi.
Mjafton kjo që të them vendi nuk është në rrugën e zhvillimit ekonomik, por në zhvillim të luftës për karriken me pushtetin më të madh të mundshëm, gjë e cila amortizon iniciativat lokale për zhvillim po aq sa ato qendrore implentimi i të cilave nuk mund të bëhet pa eficencë vendore.
Nuk mund të jetë drejtimi tamam i duhur ndërsa Ambasadorja Vllahutin këshillon shqiptarët që të mos votojnë kandidatët vendor të inkriminuar dhe këto ti kërkojnë në google !!!!!! Besim tek qeverisja është kjo shprehje e figurës më të lartë të Bashkimit Europian në Shqipëri!!!!
Edhe pak ka mbetur që ne, shqiptarët, sërish të gjykojmë me votë “drejtimin e duhur” apo devijant të zhvillimit që i lipset vendit.
-I vetmi që po kritikon qeverisjen është deputeti Ben Blushi. Sa qëndrojnë këto kritika?
Nuk është vetëm Blushi që kritikon cilësinë qeverisëse, janë edhe dhjetëra intelektualë fushash që bëjnë oponencë për qeverisjet, ka edhe lëvizje intelektualësh dhe akademikësh. Sikurse ka edhe vlerësime për insiativa apo reforma të caktuara në vend.
Blushi nuk mund të nënvleftësohet kurrsesi në cilësinë e kritikës së tij. A mund të progresohet në një parti, në një sektor apo në qeverisje pa mendim kritik ??????
Sot, në departamentin e filozofisë të Universitetit të Tiranës, ishte ftuar nga studentët për një bashkëbisedim për rrugëtimin e Shqipërisë në BE Ambasadori i Republikës së Francës. Mes pyetjeve të shumta nga studentët dha edhe një përgjigje të tillë “Të jesh europian sot do të thotë të kesh reflektuar me mësime mbi të këqijat dhe mrekullitë që ofroi shekulli -20 të në Europë……
Nuk lindim europiane por bëhemi! Kjo edhe për ju shqiptarët dhe Shqipërinë”.
Blushi dhe të tjerë intelektualë me zë në të majtën dhe të djathtën i shërbejnë europianizimit të vendit, partive dhe fushave të zhvillimit. Kjo është pasuri politike për progress.
-A vijnë ne momentin e duhur këto kritika?
Mua nuk më pëlqen që situata në qeverisje të keqe në shtet a parti, shkak për të cilën lind kritika, të kontekstohet me “momentin e duhur” apo “jo në momentin e duhur” sikurse edhe praktika që këtij relacioni i sjellin në “ndihmë” edhe kornizimin politik, (kjo nga pseudomilitantëve të partive) duke pretenduar se kjo kritikë shkon në favor të armikut politik. Është absurdi më i madh ky që ndodh tek ne. O me ne ose je me ato kur na kritikon ne !!!!!
Ky është koncept, praktikë, sjellje autoritariste nga e cila duhet të trembet elektorati dhe anëtarësia politike. Këto sjellje po “vdesin” këto 10 vitet e fundit moralet e partive në Shqipëri. Pothuaj ka vdekur demokracia në partitë shqiptare.
-Ka aludime se Blushi do të krijojë parti të re. Duhet hedhur një hap i tillë?
Kam bindjen se jo vetëm Blushi ka këtë ambicie, unë ndjej edhe të tjerë nën këtë iniciativë kjo për faktin se misioni i 2 partive të mëdha më duket se ka shterpëzuar në qasje me zhvillimet në vend, qasur progresit të shqiptarëve në mirëqenie dhe siguri për të ardhmen e këtij vendi. Edhe politika europiane e poskrizës ku një pjesë e partive historike në vende të ndryshme të BE-së janë sfiduar nga parti të reja, grupime intelektualo-politike bazuar në ekspertë fushash zhvillimi këtë po dëshmon.
-Zyrtarë të lartë të PS mendojnë se këto nuk janë kritika por qefmbetje të Blushit. Pse ky reagimin?
Histori e vjetër kjo e “mjelsave”përfitues nën siglën e PS-së. Janë ato individë që sjelljet e tyre politike i kanë pa kufij e moral politik, aspak të majtë në brendi ndonëse në formë shiten të tillë; janë gojët e atyre që pasuritë e tyre personale familjare i kanë në progress gjithmonë në të kundërt të varfërimit të këtij vendi, po aq sa mendimi i tyre shterpë kritik apo intelektual nuk kane ASGJE socialiste. Ka ndërruar kjo filozofi e armikut nga brenda dhe jashtë në parti….le të ndërrojnë edhe ato.
– Në Tiranë PS garon me Erjon Velinë. Si e gjykoni këtë kandidature për ASHE?
Është zgjedhja e Kryeministrit Kryetar fuqiplotë dhe po kjo pohohet ne spotin e Velisë “Me Ramën në 18 muaj……”. Kryeministri i ASHE ka vendosur ta mbajë vetë përgjegjësinë për cilësinë e kandidatit. Nuk me ka befasuar ky lajm, e kam pritur brenda sjelljes politike të Ramës që drejton partinë përtej të majtës dhe të djathtës. Shihni Tiranën elektorale të majtë, ka shumë flamuj të LSI dhe zyra të kandidatit poster ku nuk ka asnjë simbolikë PS-je, lokale dhe qendrore.
-Si mendoni se do të shkojnë këto zgjedhje a janë një test për qeverinë?
Qeveria mbetet përgjegjëse në disa aspekte: e para në mbarëvajtjen, e dyta si forcë konkurruese me kandidatët e saj; e treta si paratest i zgjedhjeve qendrore të pas 2 viteve. Mund të kemi edhe zgjedhje të parakohshme qendrore në varësi të rezultatit të këtyre të 21 qershorit që edhe për to do të jetë në test qeverisja aktuale. /tesheshi.com/