Nga Bashkim Kastrati
Mitrovica e Prishtina dallojnë si qyteti shumë në mes veti, por kanë një karakteristikë të përbashkët: të dyja kanë nga një “lumë të varrosur”, pra të vdekur.
Ato janë: Lushta për Mitrovicën dhe dhe Prishtevka për Prishtinën.
“Lushta, ndodhet i mbuluar nga aspekti ekonomik, si dhe është e vendosur mes dy kolektorëve”, ka thënë eksperti mitrovicas i urbanizmit dhe i ndërtimit, Gani Beshiri.
Ai ka shtuar se projekti për mbulimin e lumit dhe kthimin e tij në rrugën kryesore të Mitrovicës ka filluar në vitin 1979 dhe ka përfunduar në vitin ‘81.
“Për lumin Lushta, ka ekzistuar edhe një projekt në vitet e ‘50-‘60 i cili ka paraparë që të shpohet kodra e lagjes Bair dhe Lushta të derdhet direkt në lumin Sitnica, në afërsi të stacionit të vjetër hekurudhor”, ka thënë Beshiri.
Sipas tij kjo është ndërmarrë për shkak të vërshimeve të këtij lumi nëpër qytet.
“Ka qenë edhe një ide që të punohen dy kolektorë të hapur, çka edhe ekzistojnë në një pjesë të lumit, por hapja e lumit, pra zhvarrosja e tij, do të jetë shumë e kushtueshme dhe e papërballueshme për financat e Mitrovicës”, sqaron Beshiri.
“Tu e pa aspektin financiar dhe kapacitetet e zhvillimit ekonomik, hapja e Lushtës është vetëm një ëndërr. Çdo kthim në diçka të tillë është vetëm iluzore kur kemi parasysh edhe dy lumenj të tjerë që me plot kuptimin e fjalës janë lumenj”, është shprehur ai.
Beshiri ka shtuar dukë thënë se lumi Lushta, ditëve të verës është artificial; ai thahet dhe ekziston vetëm nga rrjedhja e ujit kanalit industrial që dërgon ujë prej Pidvoricës deri në kompleksin industrial Trepça.
“Institucionet – thotë ai – duhet të mendojnë për rregullimin e brigjeve të lumit Ibër, sepse bregu i majtë ka një konfiguracion të mirë i cili mundëson mbajtjen e aktiviteteve rekreative, shoping etj. Në këtë kontekst, brigjet e ‘Ibrit’ kthehen në plazh të qytetit duke ndërtuar aty dy basene nga 200 m me ujë të rrjedhshëm, projekt ky që ka filluar të realizohet, por po ecë me shumë vështirësi”, ka thënë Beshiri.
Më tej, ai sqaron: Lumi Sitnica, prej momentit të ndalimit të derdhjes së Fenolit nga ana e termocentraleve të Kosovës në Obiliq, si dhe mosfunksionimit të kompleksit industrial të Trepçës, ngjall florën dhe faunën. E prej këtij çasti, brigjet e këtij lumi munden të shfrytëzohen nga qytetarët mitrovicas me një investimit të komunës.
“Pra tani janë krijuar kushtet ekologjike, kimike e bakteriologjike që lmi Sitnica të kthehet në jetë, pasi një kontaminimi të egër që vazhdoi me dekada, bëri që lumi të vdiste sa i përket florës dhe faunës”, ka thënë Beshiri.
Në anën tjetër, zyrtarë komunal të Mitrovicës kanë theksuar se hapja e lumit Lushta, pra zhvarrosja e tij, nuk është paraparë në asnjë plan urbanistik të qytetit, edhe pse në një gjatësi rreth 800 metrash ishte e mundur që ky lum të hapej.
Kjo mund ndodhë përgjatë një pjese të rrugës kryesore të qytetit ‘Mbretëresha Teutë’, rreth 100 m mbi vendin e quajtur ‘teferiç’ e deri tek muzeu i qytetit, sipas zyrtarëve komunalë.
Por në terma financiarë ky mbetet një iluzion, sipas komunarëve, edhe pse e kanë të qartë se shumica e qytetarëve mitrovicas e dëshirojnë një gjë të tillë.
Sepse, edhe përkundër faktit se Mitrovica ka lumenj të tjerë, hapja e lumit Lushta, do të kthente vlerën e vjetër urbane të qytetit.
Shumë qytetarë mitrovicas, thonë se Lushta është dhuratë nga Zoti, e gabim i madh që kjo dhuratë e madhe është shpërfillur. Ata e konsiderojnë si shpirtin e Mitrovicës, pasi krah tij ka qenë hamami i qytetit, ndaj dhe kërkojnë ringjalljen e tij.
“Mitrovica është ndër qytetet e rralla në Evropë që në qendrën urbane të saj kalojnë 4 lumenj: Ibri, Sitnica, Lushta dhe Trepca”, ka thënë Shefqet Abrazhada, piktor mitrovicas.
“Qyteti i Mitrovicës është zhvilluar në mes Ibrit dhe Lushtës. Ibri ka qenë lumi industrial, ndërsa bukuria e qytetit ka qenë tek Lushta. Aty ka ekzistuar edhe një arkitekturë e urave të vjetra të qytetit”, ka sqaruar Abrazhda.
Sipas tij, hotelit Adriatik, që nga mbulimi i lumit Lushta i ka humbur kuptimi, dhe jep si shembull Prizrenin që e ka ruajtur Bistricën, ngjashëm siç duhej ruajtur Lushta.
“Nuk kemi pasur nevojë për lëndimin e shpirtit të qyteti të Mitrovicës; qyteti tani më e ka humbur kuptimin sepse u dëmtua edhe ajo vjetërsia e tij. E kush mund të besojë se Mitrovica si qendër daton që nga vitet 1840, ndërkohë që me devijimet që ka pësuar të bën të mendosh se ky qytet është i viteve 50-të shekullit të kaluar!”, ka thënë Abrazhda.
“Dy pasuritë tona u shkretuan me qëllim: Lushta dhe bashqet e qytetit, që kanë qenë e që tani nuk janë më”, ka thënë profesori i Artit, Skënder Idrizi.
Ndërsa Mejreme Maloku, rreth 70 vjeç, mitrovicase e martuar në Gjakovë, thotë se kur ka ardhur në Mitrovicë dhe ka zbritur në stacionin e autobusëve, është habitur kur nuk ka parë më lumin Lushta.
“Kam pyetur njerëzit aty pari se a jam në Mitrovicë, nuk e njoha qytetin, pasi që lumi i Lushtës ishte betonuar dhe varrosur përjetësisht”, ka thënë ajo. /tesheshi.com/