Nga Blendi Gashi
Shoqëria civile në Kosovë pas një kohe të gjatë të mërkurën organizoi një protestë me kërkesë shkarkimin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, e cila u mbështet edhe nga partia opozitare Vetëvendosje dhe njerëz të caktuar edhe nga partia në pushtet PDK-ja.
Protesta u organizua dhe u paralajmëruan të tjera pas dorëheqjes së prokurorit të Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, i cili tregoi se ai u kërcënua për shkak të hetimit të rastit të fryrjes së listave të veteranëve të luftës së UÇK-së, me ç’rast akuzoi kryeprokurorin Lumezi për ndërhyrje në punën e tij dhe përpjekje për frikësim.
Por pak orë para se të niste protesta, kryeprokurori Lumezi përmes një konference të jashtëzakonshme për media ju bëri të qartë organizatorëve të protestës se nuk e qanë fare kokën dhe se nuk e ka ndërmend t’iu nënshtrohet atyre.
“E kam shqyrtuar këtë çështje (kërkesën për dorëheqje), dhe nëse institucionet relevante dhe konkretisht Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) vendos që unë kam shkelur ligjin dhe vlerëson se duhet të shkarkohem është krejt në rregull. Por kurrsesi nuk do ta pranojë presionin e shoqërisë civile, individëve të caktuar apo të politikës që ndërhyjnë në punën e kryeprokurorit”, tha Lumezi të mërkurën.
Pas kësaj deklarate të Lumezit se largohet vetëm nëse e kërkon Këshilli Prokurorial, ky i fundit i doli në mbështetje të plotë kryeprokurorit.
Përmes një komunikate tha se “përpjekjet për ta devalvuar punën e Prokurorit të Shtetit nga kushdo qoftë, përfshirë edhe grupe politike janë të papranueshme dhe i cilësojmë si ndërhyrje në punën tonë dhe cenim të pavarësisë së garantuar me Kushtetutë dhe ligj”.
Lidhjet e kreut të KPK-së me PDK-në?
Pritja që Lumezi të shkarkohet nga KPK-ja është e kotë pasi drejtues i këtij institucioni të drejtësisë është Blerim Isufaj, ish këshilltari juridik i ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ky i fundit, njeriu më i besuar i Thaçit.
Dhe nuk mund të pritet që ai të kërkojë largimin e kryeprokurorit kur të dy vështirë se janë granduar në pozitat më të larta të drejtësisë pa marrë lejen e PDK-së.
Afera “Pronto”, në disa incizime të bisedave nga viti 2011 mes Adem Grabovcit, Kadri Veselit, Besim Beqajt dhe Hashim Thaçit, që u transmetuan në KTV, lënë të kuptohet për afrinë e Lumezit me PDK-në, në kohën kur ai ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.
Në njërën prej bisedave Kadri Veseli kishte thënë se Lumezi mund t’i ndihmojë edhe nga pozita ku ishte, për çka kishte mbështetjen e tyre.
Pra lidhja e kreut të KPK-së me njerëz të PDK-së dhe vet Lumezit por edhe deklarimi i këtij të fundit se nuk i nënshtrohet kërkesave të shoqërisë civile e bëjnë mision të pamundur shkarkimin e kryeprokurorit.
Pra thirrja e shoqëricë civile “Lumezi ec” mund të realizohet vetëm nëse “të fortit” e politikës që e emëruan i thonë të ec, në të kundërtën Lumezi do të qëndrojë ulur në kolltukun e tij.
Kujtojmë se kryeprokurori Lumezi, tregoi në konferencë se është caktuar prokurori i ri në “rastin e veteranëve”, por nuk e dha emrin.
Por portali Insajderi mëson se prokurori Special Afrim Shefkiu është ngarkuar me hetimin e rastit në fjalë.
Ndërsa prokurori Elez Blakaj i ikur në SHBA e që u quajt “pishpirik” e “hajn i pulave” nga kryeministri Haradiaj në aktakuzën 64 faqe që ka ngritur ndaj fryrjes së listat e veteranëve, akuzon 12 persona. Në mesin e tyre janë edhe zyrtarë të lartë të shtetit, ministri i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha, zv.ministri i FSK-së, Agim Çeku, deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, nënkryetari i Skenderajt, Nuredin Lushtaku.