Një kthim në kohën e përjashtimit të mocionistëve 25 vjet më parë, debati mes Imamit e Berishës në Konferencën e jashtëzakonshme të PD-së më 13 gusht të vitit 1992.
“Kam patur respekt për profesor Arben Imamin”, tha në fjalën e tij ish-studenti i dhjetorit, Bardhyl Ukcama, 25 vjet më parë, kur Berisha e kishte caktuar t’a sulmonte në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së në gusht të vitit 1992.
Ishte koha kur Partia Demokratike e Berishës po i bënte gjyqin politik “grupit armiqësor “ të quajtur “Mocionistët”. Arben Imami, Gramoz Pashko, Neritan Ceka, Preç Zogaj e shumë të tjerë themelues të PD-së kishin dalë kundër lidershiopit të partisë dhe kishin paraqitur një mocion për debat për demokracinë brenda partisë dhe parimet qeverisësë të PD-së. Kishin kaluar vetëm pak muaj prej 22 marsit të atij viti kur PD kishte fituar zgjehdjet.
Sot Bardhyl Ukcama është në të njëjtën linjë me Arben Imamin por është shumë vonë sepse PD-ja tashmë drejtohet nga Lulzim basha, dhe ky i fundit as që do t’ia dijë se cili është Arben Imami e ndërsa për Bardhyl Ukcamën, ndoshta as që ka dëgjuar ndonjëherë. Jo se është i parëndësishëm, aspak. Por për Lulzim Bashën, historia e PD-së nis tek ai e jo më parë.
Të paktën këtë është përpjekur të na thotë me listen e tij të kandidatëve për deputetë. Në atë listë nuk është Arben Imami, por nuk janë edhe shumë të tjerë si ai, mungon Jozefina Topalli e Genc Ruli, mungon Majlinda Bregu e shumë të tjerë, mungojnë të gjithë dhjetoristët.
PD nuk është më si më parë” se këtë e ka kthyer në slogan Lulzim Basha. Dhe me siguri do t’iu duhet luftë e madhe për ta kthyer PD-në si më parë, Imamit, Topallit, Bregut e shumë të tjerëve që janë sot jashtë planeve të Lulzim Bashës.
Imami e di fort mirë se çfarë do të thotë të luftosh brenda Partisë Demokratike duke qënë kundër kryetarit. E ka provuar 25 vite më parë kur ishte ndër njerëzit më të rëndësishëm në PD pasi ishte një prej themeluesve kryesorë të Partisë Demokratike.
Por gjithë pesha e tij politike u çbë në një ditë, dhe pikërisht atë ditë klur kryetari Sali Berisha kishte porositur turmën e forumeve drejtuese të partisë, për ta çbërë Arben Imamin e gjithë mocionistët e tjerë. Një prej tyre ishte Bardhyl Ukcama, por kishte shumë si ai. Për të sjellë në vëmendje atë kohë trazirash brenda PD-së, të ngjashme me sot, kemi zgjedhur debatin mes Imamit e Berishës në Konferencën e jashtëzakonshme të PD-së në 13 gusht të vitit 1992.
Arben imami: Mocioni është një propozim për një diskutim, por ai akoma nuk është diskutuar, akoma nuk është lexuar. Deri tani ka vetëm sharje të tipit: socialkomunistë, kriminelë të Sigurimit të Shtetit etj. Sot, akuzohemi nga presidenti Berisha edhe si antireformatorë. Unë mendoj, se partia jonë futi në kulturën politike shqiptare dialogun. Që njerëzit të dialogojnë, të argumentojnë, që edhe një pakicë, qoftë edhe 5 për qind, 10 përqind, mund ta ndryshojë mendimin e shumicës dhe kjo do të ishte pozitive, jo negative. Me këtë qëllim u nisëm kur shkruam këtë mocion, pasi i kisha kërkuar kryetarit të partisë të bënte një mbledhje përpara se të bëhej këshili kombëtar dhe të ishim në një mendim të përbashkët në këshillin kombëtar. M’u tha se nuk ka kohë.
Ndërkohë, në datën 4 në Rilindjen Demokratike u sulmova, se kisha qenë pasiv në fushatë etj etj. Por, rruga që u zgjodh për të diskutuar mocionin nuk është rruga më e mirë. Rruga më e mirë është, që të diskutohet mocioni dhe le të mbetej një pjesë sado e vogël e përfillshme, s’ka rëndësi, por që në momentin kur flitet me gjuhën e akuzave të tipit: socialkomunist etj, këtu janë prerë rrugët e dialogut. Sepse kur qëndrojmë këtu e dëgjojmë kakuza të tilla, kur kemi punuar aq shumë, kur s’kemi futur asnjë lekë në xhep, kur s’kemi mundur të shohim fëmijët, nuk mund t’i duroj këto akuza.
U akuzuam si karrieristë. Po flas për veten time. Nuk kam paraqitur asnjëherë shenja karrierizmi. Po e argumentoj. Në një takim që kam patur pas zgjedhjeve me zotin Berisha, Hajdari, Meksi etj m’u sugjerua që të bëhem kryetar ose nënkryetar i Kuvendit Popullor. Unë ju kam thënë shprehimisht: Jo, unë mendoj të mbetem në parti. Unë e kam në natyrën time, që kur marr pësipër një punë e bëj dhe marr pësipër ato që di të bëj. Unë nuk mund të marr përsipër të bëhem ministër i Jashtëm, për sa kohë nuk mund ta bëj këtë detyrë.
Akuza tjetër lidhet me organizimin e një grupi. Me Neritan Cekën, me Gramoz Pashkon the. Këtu nuk ka grup të dashur miq, këtu ka një ide për diskutim, për të përmirësuar partinë. Në mocion nuk kemi paraqitur asnjëherë revanshizëm, përkundrazi ne kemi theksuar në mocion, që partia të jetë më e gjerë, më e fortë dhe të mos shfaqen tiparet e diktaturës, siç shprehen disa. Në mocion nuk ka asgjë në kundërshtim me organizimin e partisë. Janë çështje, që ndihmojnë organizimin e partisë. Unë jam në mbështetje dhe do të vazhdoj ta mbështes qeverinë, sepse e kam votuar atë. Por e drejta e secilit për të dhënë mendimin për përmirësimin e punës së qeverisë është një e drejtë normale.
Unë e kam mbështetur presidentin dhe e mbështes, sepse e kam votuar. Por, unë mund t’i bëj një vërejtje si ish kryetar i partisë dhe kjo është krejt normale. Unë mendoj, se këto nuk janë diferenca të cilat na ndajnë përfundimisht. Megjithatë, dua të them një gjë, kur thuhet se nuk ka vend në këtë sallë, ky ose ky, nuk ka vend në këtë sallë Arben Imami dhe le të shkojë te partia e tij, dua të them, se nuk qëndron zoti president. Nuk qëndron, për arsye se në dhjetorin e 1990, unë nuk i kam thënë askujt, as edhe ndonjë komunisti, që nuk e dorëzonte ende teserën, shko në partinë tënde. Unë nuk kam qenë asnjëherë anëtar i asaj partie, megjithëse kisha kohë të bëhesha.
Akuzohemi si misionarë të Ramiz Alisë etj etj. Kam dalë në mitingun e studentëve në datën 11 në mëngjes, në orën 9 e gjysëm dhe kam folur vetëm një minutë si pedagog i tyre. Dhe pse? Pikërisht për të kundërshtuar, pikërisht ata që ishin emisarë të Ramiz Alisë.
Sali Berisha: Dua fjalën për replikë. Mocioni përmbante në thelb luftën e klasave dhe ne nuk kemi ndërmend të merremi me luftën e klasave. Vija është e qartë, e ndarjes. Janë ata, që besojnë në një Shqipëri demokratike dhe të tjerë që besojnë te e shkuara dhe nuk shkëputen prej saj. Ajo akuzë që më keni bërë në mocion mua më jep nder dhe po jua them në këtë konferencë, se është shumë e vërtetë që unë kam kërkuar me insistim, që në Partinë Demokratike të ketë të burgosur dhe të persekutuar politikë. Prania e këtij komponenti në PD është shumë e rëndësishme për këtë parti dhe për demokracinë në Shqipëri. Kjo, sepse njerëzit që kanë pretenduar më pak për të përfituar në parti, unë po ju them, se kanë qenë Leka Toto dhe Tomor Dosti. (Marrë nga libri “Pardesytë e Bardha”me autore Luljeta Prognin.)
Lufta e dytë
Konferenca e jashtëzakonshme e 13 gushtit 1992, ka mbetur në kujtesën e shumë prej themeluesve të Partisë Demokratike, si njolla më e zezë ne historinë e kësaj partie. Fitorja e madhe e zgjedhjeve të 22 marsit të vitit 1992, nuk mundi të menaxhohej si e tillë. Lufta për pushtet, e nisur herët në radhët e PD-së, madje qysh në orët e para të themelimit të saj, kishte mbërritur në atë moment, thellë në çdo qelizë të partisë, deri tek kryetarët e degëve, apo grupseksioneve.
E ngjashme duket sot situata brenda PD-së ku protagonist nga ana e të përjashtuarve është sërish Arben Imami. Ai ka vendosur të nisë një luftë të re, por shumë të vështirë brenda Partisë Demokratike. Në krah të tij është edhe Jozefina Topalli, një prej drejtuesve më të fortë të kësaj partie në 25 vjet. Imami dhe Topalli kanë shpallur sot lëvizjen e tyre për rrëzimin e Lulzim Bashës nga posti i kryetarit të partisë.
Me sa duket do t’iu bashkohen shumë të tjerë ish-themelues apo ish-drejtues të rëndësishëm të PD-së së 27 viteve. Duket e guximshme në këtë situatë kur PD sapo ka nisur fushatën elektorale dhe çdo veprim kundër lidershipit të partisë do të shihet si një një lëvizje për të dëmtuar PD-në ndërkohë që shkarkimi i Bashës duket po aq i pamundur sa rrëzimi i Berishës në vitin 1992.
Kjo për faktin e thjeshtë se Basha vazhdon ta ketë mbështetjen e Berishës, të paktën deri tani, pasi vetë Berisha është pjesë e listës së Bashës dhe s’ka asnjë kritike për cilësinë e kësaj liste. /tesheshi.com/