Nga Eva Gjura
Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, z. Luçiano Boçi, është i bindur në fitoren e se djathtës në zgjedhjet lokale për këtë qark. Duke vlerësuar kandidaturat e përzgjedhura dhe veçanërisht atë të z. Turku, deputeti i PD thekson se pavarësisht numrave të pafavorshëm, të krijuar artificialisht nga ndarja e re e reformës territoriale, e djathta do t`i fitojë këto zgjedhje.
Boçi shpreh bindjen e tij se e djathta hyn në këto zgjedhje për të fituar pasi përfaqësohet nga kandidatura me vlera të konsoliduara dhe aftësi menaxhuese për pushtetin lokal. Gjithashtu gjatë kësaj interviste për ‘tesheshi.com’, z. Boçi komenton edhe zhvillimet më të fundit politike në vend, ku nuk ngurron të kritikojë qeverinë aktuale duke u shprehur se kjo është një qeverisje nën veladonin e politikës që ka shenjtëruar krimin dhe që është pagëzuar në llumin e krimit.
Edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale. A është gati PD e Elbasanit për të garë?
Jo vetëm PD e Elbasanit, por të gjitha degët në rrethe kanë kohë që kanë nisur punën për fushatën elektorale. Janë përcaktuar drejtuesit e grupeve të punës të cilët kanë organizuar gjithçka sipas udhëzimeve të PDSH, brenda fateve të përcaktuara saktë. Janë zhvilluar takime intensive me seksionet prej të cilave dolën dhe propozimet për kandidatët për drejtues vendorë, propozime nga të cilat do të përcaktohen dhe kandidatët finalë për garën e afërt. Në Elbasan nominimi i kandidatit ishte më i shpejtë për shkak dhe të konsensusit të gjetur për figurën që do të na përfaqësojë. Kjo ka bërë që dhe gatishmëria të jetë e plotë dhe strukturat janë vënë në lëvizje në të gjitha ato nivele që e kërkon një situatë zgjedhore.
Tashmë është përzgjedhur kandidat i PD-së për Elbasanin është z. Turku, mendoni se do t`i fitoni zgjedhjet me ketë kandidatura?
Në çdo garë hyhet për të fituar, aq më tepër kur përfaqësohesh me njerëz me vlera të konsoliduara dhe aftësi menaxhuese për pushtetin lokal të njohura, siç është z. Turku. Ne jemi besimplotë se do ja dalim me sukses, pavarësisht numrave të pafavorshëm, të krijuar artificialisht dhe nga bashkëngjitja aspak e mirëgjetur, në ato parametra që pretendoheshin, nga reforma territoriale, të atyre komunave ku historikisht e majta ka qenë dominante. Këto zgjedhje megjithëse kanë elementin politik janë më afër interesit të përditshëm të qytetarit. Si i tillë pasioni politik del në plan të dytë në raport me vlerat që mbart individi. Me atë që ai përfaqëson e reflekton dhe me angazhimin maksimal të strukturave të PD-së gjithçka është e arritshme.
Ka një letër publike nga kreu i Aleancës Kuq e Zi drejtuar kryetarit të PD z. Basha për bojkotim zgjedhjesh me pretendimin se ato do të manipulohen. A ka një strategji PD-ja për mbrojtjen e votave?
Rreziku i manipulimit të zgjedhjeve me këtë mazhorancë, e cila është kapur “me presh në duar” duke blerë vota, është permanent. Gjithsesi kjo nuk duhet të na çojë në pozita disfatiste. Mbrojtja e votës dhe e vlerës së drejtë të saj është pjesë e betejës sonë elektorale dhe mbetet një lloj sfide brenda sfidës së madhe për të fituar betejën. Vota si elementi thelbësor i demokracisë, përfshin brenda saj dhe marrjen nëpërmjet ofertës më të mirë ideore e politike dhe ruajtjen e rrëmbimit nëpërmjet formave klasike të shantazhit apo interesit momental, ose nëpërmjet formave më moderne të blerjeve direkte, si dhe numërimin korrekt, pa cedime të saj.
Një parti serioze nuk kalon në bojkot, pasi një gjë e tillë nuk i shërben demokracisë. Ndërkohë që korrektimi i saj kryhet jo nëpërmjet braktisjes së proceseve zgjedhore, por nëpërmjet mbrojtjes totale të tyre.
Në çfarë faze është diskutimi mes PD dhe partive aleate, a është diskutuar në forumet drejtuese të PD për t’ju lënë zona të lira këtyre aleatëve dhe cilat janë këto zona?
Besoj brenda këtyre ditëve të kemi një konkludim të bisedimeve dhe më në fund një hartë të saktë të zonave që i janë lënë aleatëve. Kërkesat e tyre kanë qenë maksimale. Kjo në të drejtën e tyre. PD është duke i konsideruar dhe peshuar me kujdes me qëllim që dhënia e tyre të mos jetë një formë “qoke” por zgjidhje që i shërben arritjes së fitores së përbashkët.
Keni hyrë në vitin e dytë të opozitës, mendoni se po bëhet opozitë aq sa duhet dhe ashtu siç duhet ?
Opozita është një proces me shumë aspekte dhe ndjek në vazhdimësi një kurbë reale të degradimit të pushtetit, por në kah të kundërt ngjitës. Sa më shumë thellohet mashtrimi, zullumi, arroganca e pushtetit, aq më i fortë bëhet zëri dhe përpjekja e opozitës. Një përpjekje aktive kjo që ka njohur pika kulmore të ndryshme të shoqëruara me protesta masive dhe veprime politike të pjekura e domethënëse, ndër të cilat iniciativa për t’i shpallur luftë varfërisë, keqqeverisjes, arbitraritetit dhe iniciativa për dekriminalizimin e parlamentit e administratës, mbeten ndër më të suksesshmet. Kjo përsa i takon aspektit denoncues dhe kritikues. Në aspektin afirmues gjithçka i takon organizimit të brendshëm, domosdoshmërisë dhe aftësisë për të krijuar besim, shpresë tek qytetarët, për të krijuar një ofertë të re. Në këtë pikë PD ka përjetuar një proces ngritjeje totale, me faza të kaluara qartësisht, të cilat përmblodhën reflektimin e humbjes, faljet për gabimet, zgjatjen e dorës për një besim të kthyer, ngritjen e strukturave efiçente me anëtarësi reale si bashkim kontributesh historike dhe dëshirash të reja për angazhim politik. Tani ndodhet në procesin e dhënies së ofertës së re votuesit, ofertë e cila pretendon të jetë ajo me pamje njerëzore, me shpresën për të ardhmen e sigurtë dhe dëshirën për të sotmen e mirëjetuar.
Çfarë mendoni se çalon sot në kampin e djathtë,a ka ndonjë gjë qeënuk funksionon?
Perfeksioni si gjendje politike është utopi. Dinamizmi i një partie apo kampi është ndër të tjera dhe rezultat i diversitetit të vizioneve, ideve e veprimeve. E rëndësishme është që ato të mos kalojnë në konfrontime të panevojshme. Kësisoj diferencat që lindin ndihmojnë gjallërimin e jetës së formacioneve politike më shumë se sa e atrofizojnë atë. Brenda nesh ato janë tregues i rritjes së interesit opozitar për të ofruar zgjidhjet më oportune për të ardhmen.
Keni ndonjë koment për zhvillimet e fundit parlamentare, arrestimi i dy deputetëve duket sikur ia ka nxirrë faqen këtij institucioni dhe akuzat që rëndojnë mbi koleget tuaj nuk janë të vogla po të kemi parasysh faktin se në Kuvend duhet të jenë njerëzit më me integritet?
Situata në parlament e lidhur me akuzat për porositje vrasjesh nga vetë deputetë të mazhorancës ndaj Kryetarit të Kuvendit dhe për implikime në vrasje të deputetëve është shumë komplekse. Në një anë ajo dëshmon drejtësinë e akuzave tona dhe kauzës sonë për dekriminalizim të jetës politike e publike dhe nga ana tjetër zbulon hapur mekanizmin e marrjes së pushtetit nga mazhoranca.
Qeveria ka deklaruar dhe po deklaron se ka bërë një reformë mjaft të mirë në Arsim. Keni ndonjë koment është vërtet kaq e mirë kjo reformë?
Reforma e pretenduar, që kurrsesi nuk mund të jetë e tillë, po shkon drejt zhbërjes së arritjeve më të mira në arsim, qoftë në atë parauniversitar qoftë atë të lartë. Ndërhyrjet në ligjin për Arsimin Parauniversitar që prekin altertekstin dhe mënyrat emërimit dhe shkarkimit të mësuesit si dhe sjellja e Ligjit të ri për Arsimin e Lartë, i cili sanksionon braktisjen e Universitetit, akademizmit, e kërkimit shkencor nga shteti, krijojnë një problematikë shumëkatëshe, e cila po sjell dëme të pariparueshme për sa i takon këtij sektori. Sot mësuesit janë nën trysni dhe presion total. Të anatemuar e përçmuar nga ministria, ato ende nuk kanë një kontratë pune dhe rrezikohen çdo moment nga drejtorët dallkaukë politikë, të cilët i kanë zënë vendin njerëzve profesionistë, me komandime aligjore. Për më tepër testimi antiligjor i shpallur si shpëtimtari i mësuesisë, i rri në kokë si shpatë Demokleu. Ndërkohë profesorati i Univerisiteteve dhe studentët ndodhen në udhëkryq për të ardhmen e tyre. Tipat e IAL-ve që imponohen shformojnë traditën dhe nuk sjellin cilësinë, përpos “çojnë ujë në mullirin” e atyre që mban afër politika e majtë. Skema e financimit është krejtësisht e papranueshme dhe tarifat për studentët pas hyrjes në fuqi të ligjit do kapin majat. Universitetin nuk merret vesh kush e drejton, senati apo bordi, rektori i zgjedhur apo administratori politik. Dilema e Universiteteve të çuditshme publike të pavarura sqaron vetëm një gjë: që këto universitete janë të pavarura vetëm nga akademizmi dhe janë të varura nga dëshira dhe interesi i kryeministrit.
Si e shihni qeverisjen e majte, çfarë po bën mirë, çfarë jo, cilat janë problemet që ka sot kjo qeverisje?
Kjo është një qeverisje nën veladonin e politikës që ka shenjtëruar krimin dhe që është pagëzuar në llumin e krimit. E mira e saj është se po na tregon se si nuk duhet qeverisur një vend. /tesheshi.com/