Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka zhvilluar një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ka patur një seri takimesh me përfaqësues të përhershëm të disa shteteve anëtare të OKB-së.
Në fokus të takimeve është anëtarësimi i Kosovës në mekanizma, institucione dhe organizata ndërkombëtare të bashkëpunimit në fushën e rendit dhe ligjit, përkatësisht bashkëpunimit policor.
Kryesisht bisedat janë përqendruar në sigurimin e përkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, e që pritet të votohet gjatë Asamblesë së Përgjithshme në shtator.
Ministri Hyseni, i shoqëruar edhe nga shefja e Misionit të Kosovës në Nju Jork, Teuta Sahatqija, në takime të veçanta ka takuar dhe biseduar me përfaqësuesin e përhershëm të Uruguajit në OKB, ambasadorin Elbio Rossi, ambasadorin e Etiopisë Tekeda Alemu, atë të Bangladeshit, Masud Bin Momen, dhe me ambasadorin e Senegalit, Fode Seck.
Në të gjitha takimet e deritashme është treguar gatishmëri e madhe për të përkrahur anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Kujtojmë se sot Qeveria në largim ka miratuar në parim nismën për anëtarësimin në INTERPOL.
Zv. ministri i Punëve të Brendshme, Behar Selimi tha se kjo nismë ofron mundësi të mëdha për bashkëpunim të Kosovës me shtetet e tjera si dhe ndihmon në parandalimin e krimit dhe luftimin e formave të ndryshme të kriminalitetit.
Kurse ministri i Jashtëm tha se kanëmarrë të gjitha masat e nevojshme që të sigurojnë mbështetje prej shteteve anëtare.
“Prej 190 shteteve, duhet mbështetja e 110 shteteve që Kosova të mund të bëhet anëtare e INTERPOL-it”, tha Hoxhaj. /tesheshi.com/