Intervistoi: Donat Maloku
Po bëhen gati tri vite kur Komisioni Qeveritar për verifikimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka filluar punën për të ditur saktë numrin e pjesëtarëve të kësaj ushtrie, por ky proces po zgjatet me shumë sesa ishte parashikuar.
Portali ynë “tesheshi.com”, duke parë rëndësinë e kësaj çështje dhe gjendjen e rëndë të veteranëve, ka zhvilluar një intervistë me kryetarin e Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.
Ai fajtor për mospublikimin e listave përfundimtare e ka bërë Komisioni Qeveritar për njohjen e statusit të veteranit të udhëhequr nga Agim Çeku, duke i quajtur të qëllimshme vonesat që po bëhen, derisa ka shtuar se duhet të hetohet ky proces.
Qeriqi ka thënë se këtë javë do të dalim me një qëndrim rreth protestave të ardhshme , derisa ka folur edhe për (mos)themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK), debatin UÇK-FARK, dhe rreth kyçjes së mundshme të tij në skenën politike.
Listat përfundimtare të veteranëve ende nuk janë publikuar. Cilat janë informatat më të reja që keni, kur pritet të publikohen ato?
Po të them të drejtën Komisioni Qeveritar për njohjen e statusit të veteranit fare nuk ka qenë serioz në punën e tij. Po bëhen gati tri vite prej se ka filluar punën dhe ende nuk kemi një rezultat final, gjë që është e turpshme për ta. Mendoj se janë të pakuptimta dhe të qëllimshme këto vonesa që po bëhen.
A keni pasur së fundmi ndonjë kontakt me drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së apo institucionet gjegjëse? Nëse po, çfarë ju kanë thënë ata ?
Po kam pasur një takim para pak dite me Faik Fazliun (udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit), i cili më ka njoftuar për punën që po bëhet aty, mirëpo as ai nuk ka një datë të prerë se kur ky komision do ta përmbyll këtë proces.
Nëse nuk plotësohen kërkesat e veteranëve, cili do të jetë veprimi i Këshillit për të Drejtat e Luftëtarëve të UÇK-së. A do të vazhdoni me protesta nëse nuk pastrohen listat ?
Unë e kam njoftuar Komisionin për pakënaqësitë e mëdha të veteranëve dhe për kërkesat e tyre për protesta, sepse thjesht e kanë humbur besimin tek ky Komision. Ne ditën e hënë kemi mbajtur një takim rreth hapave të mëtutjeshëm dhe besoj që këtë javë do të dalim me një qëndrim rreth protestës e cila do të mbahet në fund të kësaj jave ose menjëherë në fillim të javes së ardhshme.
Ka pasur shumë pakënaqësi në zona të ndryshme pasi është raportuar se ka pasur shumë manipulime me lista. Sipas jush kush është përgjegjës për këto manipulime?
Po, ka pasur pakënaqësi rreth fryerjeve të listave, kjo ka qenë evidente në të gjitha zonat sepse janë vërejtur që janë fryer listat me njerëz që fare nuk kanë qenë në luftë. Mendoj se përgjegjës për këto fryerje të listave është vet kryetari dhe anëtarët e këtij komisioni.
Keni thënë se në listat e veteranëve ka edhe njerëz të UDB-së, a mund të na tregoni më detajisht për kënd e keni fjalën, apo nga cilat zona janë këta njerëz?
Unë kam thënë se ka pasur raportime nga veteranët e luftës se në lista janë futur njerëz që kanë qenë të afërt me UDB-në, thjesht që i kanë dhënë informacione armikut. Këtë ma kanë thënë vet veteranët, bile e kanë ndjerë vetën keq kur në listat e tyre kanë parë emrat e këtyre njerëzve.
A keni kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të ndërhyjnë në këtë proces dhe të shohin problemet nga brenda?
Mendoj se është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë ta hetojnë këtë proces, për arsye se padrejtësisht këta persona do të përfitojnë në gjakun dhe sakrificën e atyre që luftuan dhe padrejtësisht dhe pa asnjë kontribut do të përfitojnë nga buxheti i shtetit të Kosovës.
Cila është sot gjendja e veteraneve të Kosovës, si jetojnë ata dhe në çfarë kushtesh?
Gjendja e veteranëve sot është shumë e rëndë, ata po përballen me trauma psiqike, e poashtu edhe më tepër po i rëndon procesi i fundit i Komisionit, mosserioziteti i tyre në këtë drejtim. Një pjesë e madhe jetojnë në gjendje të rëndë ekonomike dhe shëndetësore. Jemi të gjithë dëshmitarë se kemi dhjetra raste të veteranëve të UÇK-së që kanë bërë vetëvrasje, pra diku 42 është numri i tyre. Ky është dashur të jetë një alarm për institucionet dhe për Komisionin.
Mendimi juaj rreth debatit, UÇK-FARK ?
Mendoj se nuk duhet që asnjë luftëtari i cili ka luftuar për lirinë e këtij vendi t’i mohohet e drejta ligjore dhe kontributi i tij. Të gjithë jemi dëshmitarë se në luftë ka qenë vetëm një emblem: ajo e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dhe të gjithë pavarësisht bindjeve politike e kemi bartur këtë emblemë dhe duhet të ndihemi krenar që kemi pasur këtë fat. Këto debatet të cilat po bëhen mendoj se krejt janë për përfitime politike të politikanëve, pasi nuk është mirë të bëhet një ndarje e luftarëve të lirisë sepse ata nuk kanë luftuar për parti por për lirinë e vendit.
Pse po zhagitet sipas jush formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK)?
Mendoj se krejt kjo po bëhet si shkak i minoritetit serb i cili po e kundërshton themelimin e FAK-ut, pasi ky minoritet po kërkon të drejta shtesë dhe marrëveshje, që nuk duhet pranuar asnjëherë sepse janë të dëmshme për vendin dhe për shtetin tone. Gabimi që është bërë nga legjislratura e kaluar e Kuvendit për themelimin e FAK-ut do të sjell probleme në votimin në Kuvend, duke e ditur që është një listë e pakicës së minoriteteve e cila punon me direktiva të Beogradit dhe qëllimi i saj është që të paralizojë gjithçka këtu.
Për fund, a keni menduar ndonjëherë t’i futeni politikës?
Jo që se kam menduar por as që do ta mendoj, megjithëse kam pasur oferta. Mendoj se Republika e Kosovës ka një gjeneratë të re shumë të aftë të cilët kanë energji dhe aftësi shumë më të madhe për të kontribuuar për vendin, andaj duhet t`i jepet hapësirë rinisë që të japin kontributin e saj në forcimin e shtetit, në forcimin e ekonomisë, që fatkeqësisht kjo politikë aktuale e ka shkatërruar, po ashtu dhe ndërtimin e një sistemi të pavarur në sundim të rendit dhe të ligjit. /tesheshi.com/