Kreu demokrat Basha reagoi ashpër ndaj shpalljes nga Rama të hapjes së listave, duke e lexuar këtë si shkelje të marrëveshjes së Zgjedhores.
“Sot Edi Rama në esencë ka prishur marrëveshjen e 5 qershorit, që u investuan forcat politike me dakordësinë e 14 janarit dhe ndërmjetësimin e SHBA-BE-së dhe Britanisë së Madhe. Në këtë marrëevshje ishte miratimi me konsensus i reformës zgjedhore.
Ky ndryshim i njëanshëm e zhvlerëson marrëveshjen e 5 qershorit. Pika dytë e marrëveshjes së 5 qershorit përjashton ndryshimin e njëanshëm të sistemit“, tha Basha.
Nga ana tjetër, Rama tha se këto janë interpretime.
“E di që ka një përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por marrëveshjen e 5 qershorit ne e kemi realizuar me vullnetin më të mirë duke shkelur edhe mbi veten, sepse ambicia jonë ka qenë e shprehur vazhdimisht depolitizimi i administratës zgjedhore”, tha Rama.
Ndërsa deputeti Murrizi e quajti këtë një fitore.
“Kjo është një fitore e parë e opozitës parlamentare. Ju pata thënë se avash avash edhe kryeministri do të ulet më këmbë në tokë, po ashtu edhe shumë të tjerë në ditët në vijim”, tha deputeti i PD-së.
Ndërkohë, për Murrizin e të tjerë nga lista e tij, Basha dha këtë vlerësim:
“Ata janë mall i blerë nga Edi Rama, u përdorën mish për top”. /tesheshi.com/