I burgosuri palestinez, 37-vjeçari Khader Adnan, i cili qëndroi në grevë urie për 56 ditë, u lirua nga autoritetet në Izrael. Ai protestoi me grevë urie pasi mbahej në burgjet izraelite pa asnjë akuzë, vetëm nën politikën e Tel Avivit, për “ndalim administrativ”.
Greva e urisë e çoi atë në një gjendje kritike. Ai i dha fund grevës më 28 qershor pas një marrëveshjeje me Izraelin që garantonte lirimin e tij.
Adnan ishte arrestuar si pjesë e një vale ndalimesh të palestinezëve nga izraelitët pas rrëmbimit dhe vrasjes së tre të rinjve izraelitë në qershor 2014.
Adnan, banor i Jeninit, në Bregut e pushtuar Perëndimor është arrestuar disa herë. Më parë, ai ka zhvilluar një tjetër grevë urie në vitin 2012.
Sipas rregullit të “ndalimit administrativ”, Izraeli mund të mbajë në burg të dyshuarit pa afat që rinovohet në periduha gjashtëmujore. Masa kontroverse është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut.