Futbollisti legjendar argjentinas dhe, sipas shumëkujt, lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, Lionel Messi, zgjodhi katër lojtarë që ai beson se mund të fitojnë Topin e Artë në të ardhmen.
Messi ka fituar tetë herë të pabesueshme çmimin individual më prestigjioz dhe argjentinasi beson se katër futbollistë do të luftojnë vazhdimisht për “më të mirin” në planet në vitet e ardhshme.
Kështu në një bisedë për francezen L’Equipe, Leo zgjodhi emra mjaft të pritur, por la jashtë favoritin kryesor për të fituar Topin e Artë këtë sezon, fenomenalin Jude Bellingham.
“Kush mund të luftojë për Topin e Artë në vitet e ardhshme? Mund të ketë një rivalitet të mirë mes lojtarëve si Haaland, Mbbappe dhe Vinicius. Gjithashtu, këtu dua të përmend Lamine Yamal nga Barcelona”, tha 36-vjeçari.
Ndryshe nga Messi, basteshkruesit e shohin Bellinghamin si kandidatin kryesor për çmimin në sezonin aktual. Anglezit të madh i jepen 25 për qind shanse për të fituar Topin e Artë, shkruan Sport AM. /tesheshi.com/