(Shënime për romanin “Numri zero” i Umberto Eco)
Nga Agim Baçi
Çfarë ndodh kur në lojë hynë gazetaria e keqe, që përdor të dhënat jo për informim, por për të shantazhuar? Umberto Eco përmes një trilleri ka rrokur një nga çështjet më të diskutueshme në botën e sotme – pikërisht atë të marrëdhënieve mes medias, politikës, gjyqësorit dhe biznesit.
Fabula nis me një ofertë që i bëhet Kolonës, një pesëdhjetvjeçari që e ka dashur gjithnjë gazetarinë, por s’ka mundur të shkollohet dhe që ka përkthyer nga gjermanishtja dhe shkruar në gazeta të vogla, në rubrika jo të rëndësishme. Dhe një njeri që ka ëndërruar, që ka dellin e shkrimtarit, por s’ka patur fat, që e shoqja, Ana, e ka braktisur pas dy vitesh martesë, që kërkon të dalë nga anonimati, është personi i duhur për ta ftuar në një qark ku dikush tjetër mund të përfitojë. Pikërisht një personazhi të tillë i kërkohet të bashkëpunojë në shkrimin e një libri mbi një gazetë që nuk do të dalë kurrë në treg. Gazeta mendohet me titullin “Nesër”, por që të “nesërmen” nuk e ka për publikun, por thjesht për atë që i nevojitet një njeriu që kërkon të fitojë përmes lojës së pandershmërisë, lojës së shantazhit. Hapur flitet për marrëveshje dhe jo për virtyte. E pas pranimit të kushteve të tilla, duket se dera e së keqes nuk është aspak larg.
“Komendatori kërkon të futet në sallonet e larta të financës, të bankave e madje edhe të gazetave të mëdha. Dhe mjeti më i mirë është premtimi për një të përditshme ku do të thuhet vetëm e vërteta, në lidhje me gjithçka. Dymbëdhejtë numra zero, le të themi 0/1, 0/2 e kështu me rradhë, të shtypura në shumë pak kopje të rezervuara, që më pas Komendatori do t’i vlerësojë e do të kujdeset që t’i shohin ata që di ai. Sapo Komnedatori të demonstrojë se mund t’i vërë në vështirësi të ashtëquajturat sallone të larta të financës e të politikës italiane, ka gjasa që sallonet e larta t’i luten të heqë dorë nga kjo ide. Kështu ai heq dorë nga Nesër dhe fiton të drejtën për të qenë pjesë e salloneve të larta. Gjithashtu, gjysmën, apo të themi, qfotë edhe dy për qind të aksioneve të një të përditshmeje të madhe, të një banke apo të një rrjeti televiziv të rëndësishëm”. (Umberto Eco, “Numri zero”, “Dituria”, Përkthim i Ledia Dushit, 2015, f. 27)
Gjithçka nis më pas nën dirigjimin e Simeit, që mbron politikën që i nevojitet Komendatorit. Kolona njihet me Majën, një gazetare e specializuar për thashethemet për lidhjet dashurore të personave publikë dhe Bragadoçon, një redaktor që jeton përmes legjendash. Janë dy bashkëpunëtorët me të cilët duhet të nisë punën për dymbëdhejtë numrat zero të gazetës që nuk do të dalë kurrë. Duket një trekëndësh i plotësuar mes talentit, thashethemit dhe imagjinatës së shfrenuar, imagjinatë që i nevojitet herë botuesit e herë publikut.
Te Kolona nisin të marrin jetë dy kohë paralele- një dashuri me Majën dhe një rindërtim historish për të shkuarën, me Bragadoçon. Loja në këtë ndërtim të gazetës “Nesër” nuk kursen askënd. Madje, edhe bashkëkohës të tyre në të njëjtin qytet, ku lehtësisht akuzohet se “ka vrarë Brutin”, si për të përfshirë lojën e së keqes që në gjenezë.
Bragadoço kërkon të rikujtojë Milanon që nga fëmijëria, dhe bashkë me të të ringrejë legjendat. Rindërton thashethemin se Musolini nuk ka vdekur por është arratisur në Argjentinë. Rindërton rrugën e prostitutave, lidhjen e tyre me politikën. Pastaj nis lidhjen e vrasjes së Papa Luçianit, grushtit të shtetit të Borgezes, CIA-n, terroristët e kuq të përdorur nga shërbimet sekrete. Të gjitha këto të ndërtuara brenda “politikës së hamendësimit”, si pjesë e fatnazisë së Bragadoços, vijnë në një çast e bëhen të besueshme pasi një emision në BBC i sjell si të vërteta, përmes dëshmitarësh. Përfundimi është se, pas lajmit se “diçka e madhe e së shkuarës është zbuluar dhe do të bëhet publike”, Bragadoço gjendet i vrarë në rrugën “Banjara”, në rrugën më të ngushtë të Milanos, rruga që lidhte fijet e holla mes botës politike dhe prostitucionit. Pas kësaj vrasjeje duket se “numrat zero” ja kanë arritur qëllimit dhe hartuesi i planit është i qetë të fillojë negociatat me sallonet ku kërkon që të bëjë pjesë.
E keqja që vjen nga këto marrëveshje të pista plotësohet nga një grotesk i hapur në momentin kur diksutohet në redaksinë e gazetës “Nesër” pas vrasjes gjyqtarit të famshëm Xhovani Falkone nga mafia.
“Eshtë një fjalë shumë e bukur gjermane, Schadenfreude, kënaqësia për fatkeqësinë e tjetrit. Kjo është ndjenjë që duhet të respektojë dhe të nxisë një gazetë. Por për tani, nuk jemi të detyruar të merremi me këto fatkeqësi dhe indinjatën t’ua lëmë gazetave të majta, të cilat janë të specializuara. Veç të tjerash, nuk është ndonjë lajm i jashtëzakonshëm. Nuk është rasti i vetëm që do të vriten gjykatës dhe do të vrasin edhe të tjerë. Do të kemi edhe raste të tjera të mira. Tani për tani, do ta shtyjmë”. (Umberto Eco, “Numri zero”, f. 144)
Eco ka përshkruar gjithë shtegun e debateve të sotme mbi median, mbi mënyrën se si ajo kërkon lexuesin dhe shikuesin, se çfarë ndodh pas kiuntave, atje ku publiku nuk arrin dot të shohë, të dije se çdo të ndodhë. Përmes pikëpyetjeve të të pathënave të medias, e sidomos për destinacionin e marrjes dhe dhënies së informacionit, Eco jep pikëpyetjet e funksionimit të demokracisë së sotme. E shkruar si një histori që ka ndodhur më 1992, në kohën kur ish-hetuesi Di Pietro trondti politikën italiane, libri mbetet mes një trilleri të pastër letrar dhe një analize të mirëfilltë të gjithë problematikave që shfaq sot kjo marrëdhënie delikate mes medias dhe shoqërisë. “Të pathënat e numrit zero për publikun” nuk janë veçse rrugët e pafundme të botës së sotme për të mos e çuar të vërtetën tek publiku.
“Numri zero” është një roman që mund të lexohet me kënaqësi jo vetëm nga gazetarët apo nga ata që janë të apasionuar pas botës së lajmit, por edhe nga ata që janë të dhënë pas kënaqësisë së leximit. Eco shfaq edhe një herë fuqinë e madhe të vëzhgimit, por edhe të përshkrimit. Një roman i ardhur këndshëm në shqip edhe nga përkthimi i Ledia Dushit. /tesheshi.com/