Përmblodhi: Roald A. HYSA
Në të gjitha variantet e legjendës për themelimin e Tiranës, figura kryesore e saj është Sulejman pashë Bargjini (Mulleti).
Edhe në legjendën e themelimit me gjithë variantet e saj thuhet se Tirana përpara se të ndërtohej xhamia, ishte një vendbanim me 15 shtëpi.
Varianti i parë është ai dhënë nga Johan George Fon Han (konsulli austriak në Janinë), ku në veprën e tij “Studime Shqiptare” (1854) e përshkruan legjendën e themelimit sipas asaj që kishte dëgjuar nga banorët e Tiranës, ku flitej: “për një hyzmeqar djalosh që shërbente pranë Sulejmanit, një beu të vogël.
Një ditë, hyzmeqari i tregoi beut të tij ëndrrën që kish parë, sikur hëna paskësh zbritur nga qielli dhe kishte qëndruar mbi supin e djaloshit duke përhapur një dritë të shkëlqyer. Për beun, ëndrra ishte paralajmërimi i një fati të bardhë për hyzmeqarin, prandaj e nxiti të largohej.
Shumë vite kaluan kur Sulejmanit i erdhi urdhri të paraqitej në Stamboll, te Veziri i Madh. Gojëdhëna vazhdon të tregojë se hyzmeqari i dikurshëm ishte bërë Vezir i Madh dhe tani nuk i pëlqente ta harronte zotërinë e vjetër. Si u takuan në Stamboll, Veziri e emëroi Sulejmanin komandant të sanxhakut të Ohrit. Nga Ohri, një ditë tek kishte dalë për gjah, u gjend në Tiranë. Bukuria e vendit e tërhoqi Sulejman Beun, kështu ai vendosi të ndërtojë aty një xhami dhe një pazar për t’i dhënë këtij fshati të vogël pamjen e qytetit.
Po këtë variant e tregon edhe konsulli frëng i Shkodrës J. Hekar (1857) me një shtesë, ku tregon se Sulejmani shkoi të luftonte në Persi dhe atje vdes dhe sipas dëshirës së tij trupi iu soll në Tiranë, ku u varros pranë xhamisë, të cilën e kishte ndërtuar vetë.
Po këtë variant, porse të shkurtuar na e jep edhe Sami Frashëri, kur flet për Tiranën në Kamus al-Alam.
Një variant tjetër na jep fillim të shek. XX konsulli frëng në Shkodër, A. Dëgrand, ku këtu mungon tashmë figura e hyzmeqarit dhe Sulejmani s’është më një bej i vogël, por një feudal i pasur me toka dhe me kështjellën e tij në Mullet, afër lumit Erzen.
Në këtë variant konsulli frëng thotë se Sulejman Pasha pasi kishte arritur një fitore gjatë një fushate në Teheran, e pagëzoi qytetin e ngritur prej tij Tehran, emër i cili me kalimin e kohës u kthye në Tiranë.
Pak a shumë po këtë variant të pagëzimit të qytetit na e jep edhe një autor i panjohur, i cili firmos me inicialet “Nd.P.D.”, në “Kalendari i vjetëve 1920”. Ky autor i rikthehet historisë së hyzmeqarit, duke e bërë vetë Sulejman Pashën në këtë variant hyzmeqar dhe pasi i tregon ëndrrën sesi hëna ose dielli i kishte zbritur në krah, përzihet nga zotëria i tij si i marrë. Ai hyn në ushtrinë turke dhe pasi tregohet trim në luftime arrin të fitojë titullin vali i Teheranit në Persi. Kur kthehet në vendlindje kalon pranë Tiranës, e cila në atë kohë nuk ishte qytet, por kishte disa shtëpi. Sulejmani duke dashur të përjetësonte emrin e vet, ndërton në këtë vend një xhami, hamamin dhe furrën dhe e pagëzon me emrin Tirana prej Teheranit ku ishte vali.
Në variantin e Osman Myderizit thuhet se: “Sulejman Pashë Mulleti, mbasi mori fermanin nga Stambolli për të ngritur një qytet në mes të lumenjve Lanë e Rigllatë, duke vëzhguar vendin ndeshi një plakë që tirte anë (mëndafsh) pranë kasolles së saj, buzë Lanës. Pyetjes së Sulejman Pashës se ç’po bënte aty në Lanë, plaka iu përgjigj: “Po tir anë”. Përgjigja e frymëzoi Pashanë nga Mulleti ta pagëzonte qytetin e ri me emrin Tir-anë, Tiranë.”
Këto ishin pak a shumë legjendat e përcjella gojarisht dhe të regjistruara për prejardhjen e emrit Tiranë. /tesheshi.com/