India u ka kërkuar njerëzve që të heqin dorë nga Dita e Shën Valentinit “perëndimor”, duke njoftuar se 14 shkurti është tani e tutje Dita e Përqafimit të Lopëve.
Në një apel të ri, qeveria indiane ka shpallur 14 shkurtin si Ditën e Përqafimit të Lopëve për të inkurajuar njerëzit të përqafojnë kafshën, e cila konsiderohet e shenjtë në hinduizëm, feja më e madhe e Indisë.
Përqafimi i një lope “do t’ju sjellë pasuri emocionale” dhe “do të rrisë lumturinë tonë individuale dhe kolektive“, tha qeveria në një deklaratë, sipas The Guardian.
Riemërtimi i 14 shkurtit synon gjithashtu të frenojë “flashin e qytetërimit perëndimor” për të cilin qeveria ka frikë se po vjen në kurriz të traditave më të vjetra të Indisë.
Dita e Shën Valentinit është bërë një ngjarje e njohur mes të rinjve në dhjetë vitet e fundit – një trend i nxitur nga fushatat intensive të marketingut për lule, arusha pelushi, dhurata në formë zemre dhe madje edhe gjeste romantike për të befasuar partneri(e)n.
Në të njëjtën kohë, politika nacionaliste hindu po fiton mbështetje në Indi dhe festat “perëndimore” – si dhe traditat si Dita e Shën Valentinit – kanë tërhequr kritika për atë që ata thonë se po promovojnë “vlera të korruptuara”.
Dyqanet që shisnin kartolina dhe dekorime për Ditën e Shën Valentinit u sulmuan nga grupe të krahut të djathtë, të cilët synonin gjithashtu çifte të kapur për dore. Këto grupe shpesh quhen “polici morale” dhe aktivitete të dhunshme kryhen kryesisht ndaj grave.
Retorika e tyre është se “festa inkurajon shthurjen dhe sjelljet e papranueshme të femrave”.
Dita e Përqafimit të Lopës është përpjekja më e fundit e qeverisë nacionaliste hindu të Partisë Bharatiya Janata (BJP), e udhëhequr nga kryeministri Narendra Modi, për të promovuar “lopën e shenjtë” në politikën e gjithë Indisë.
Shumica e shteteve në Indi tashmë ndalojnë therjen e lopëve pasi shumë i konsiderojnë ato të shenjta, dhe shitja dhe konsumimi i viçit është gjithashtu i ndaluar në shumë vende në Indi, duke përfshirë kryeqytetin Delhi.
Kjo nuk është hera e parë që lopa përfshihet në një temë kombëtare: Komisioni Kombëtar i Lopëve ka dalë me një provim kombëtar të propozuar mbi “Shkencën e lopëve” si pjesë e kurrikulës së rishikuar të BJP.
Kjo u shty për në vitin 2021 sepse u akuzua për promovimin e pseudoshkencës fetare për lopët indiane. Këto pretendime përfshijnë se lopët indiane kanë më shumë emocione se lopët e huaja, se gunga e tyre ka fuqi magjike ose se jashtëqitjet e tyre madje mund të parandalojnë rrezatimin, shkruan The Guardian. /tesheshi.com/