Për koiçidencë, politika kosovare ka dhe ajo tashmë Ramën e saj, Përparimin, që ashtu siç Edi i Shqipërisë morri Tiranën në vitin 2000, pasi la Francën, ky i Kosovës la Anglinë për kryeqytetin e vendit të tij.
Kështu, në votimin për balotazh këtë të dielë, Përparim Rama është shpallur fitues në garën për Komunën e Prishtinës, duke e rikthyer qytetin në duart e LDK-së, mu në kohën kur kjo forcë tenton ringritjen me Lumir Abdixhikun, pasi Isa Mustafa e katandisi në forcë të tretë në Kosovë, nga e parë që ishtë për më shumë se dy dekada, si parti e Rugovës.
Për më tepër, Rama mund Vitinë e VV-së, pra thënë ndryshe, Albin Kurtin, i cili, si hap të parë të synimit për qeverisje, katër vjet më parë do merrte pikërisht Prishtinën me Shpend Ahmetin.
Rama mori 51.07% të votave kurse Vitia i LVV siguroi 48.93% duke u ndarë me një diferencë prej vetëm 1701 vota.
Pak para pëfundimit të numërimit total të votave, Rama deklaroi para qytetarëve se do të mbajë të gjitha premtimet e dhëna në fushatë.
“Nuk mundem me i përshkru me fjalë emocionet e kësaj fitore. Falënderoj të gjithë LDK dhe kryetarin e guximshëm Lumir Abdixhiku.
Kjo është fitore e zhvillimit!
Zotohem që do të jem kryetar i të gjithëve, ju që jetoni këtu, punoni këtu, që vini e që do të ktheheni”, tha ai.
Pak minuta më pas kandidati i VV, Arben Vitia, pranoi humbjen duke thënë se Prishtina ka një kryetar të ri.
“Prishtina tashmë ka një fitues, e ai është zotëri Përparim Rama. Shfrytëzoj rastin të falënderoj aktivistët e LVV-së, qytetarët e Prishtinës dhe zotëri Ramën po ashtu për një kulturë të përgjithshme dhe fushatë korrekte që karakterizoi Komunën e Prishtinës”, tha Vitia. /tesheshi.com/