Nga Shkëlzen Rrecaj
Edhe pse i sprovuar me shikimin, ai shquhet si person me një zemër të madhe dhe bujare, i sinqertë, i shoqërueshëm, i dashur dhe shumë i respektuar. Është ky Mentor Mripa një djalë i pashëm, më një zë të bukur që i kënaq dëgjuesit e tij përmes valëve të radios si dhe përmes këngëve të bukura që i realizon. Mentori nuk ka komplekse dhe është një shakaxhi i madh si me të tjerët ashtu dhe me veten. Pavarësisht sprovës së tij, Mentori asnjëherë nuk është ndalur dhe ka zhvilluar një jetë si gjithë të tjerët.
Ka përfunduar shkollën, fakultetin, bën karrierë profesioniste, ka krijuar familje si është më së miri. Ai është shumë i dashuruar pas radios dhe këngës, këto të cilat i ka pasur ëndërr që fëmijë. Mentori me shumë kënaqësi dhe lehtësi pranoi të jetë mysafir i portalit tonë. Bisedën me të e zhvilluam në njërën prej pastiqerive më me traditë në Prishtinë, të cilën ai e frekuenton më së shpeshti.
Mentor, si është të rritesh pa parë dritën e diellit, ndërsa në anën tjetër të rrezatoni aq shumë dritë.
Së pari faleminderit që më përzgjodhët mua ta zhvillojmë këtë bashkëbisedim. Shpresoj që të na shkojë ëmbël dhe mirë ashtu siç hamë këtë akullore, pa harruar të përshëndes lexuesit tuaj.
Po e saktë është, unë kam lindur i verbër. Zoti më ka sprovuar, por edhe më ka dhuruar shumë gjëra të tjera. Më ka sprovuar me këtë që të mos shoh me sy të vërtetë, por jam përpjekur që të shoh me sytë e zemrës. Unë që i vogël e kam pasur të qartë prej prindërve të mi dhe disa familjarëve në Prizren, siç ka qenë doktor Halimi dhe zonja tij Shpresa dhe disa të tjerë, që unë nuk shoh.
Natyrisht gjatë jetës nganjëherë dhe përvojave të ndryshme ndonjë moment jo të mirë që më ka shtyrë të bëjë pyetjen pse pikërisht unë? Ka patur momente të tilla që të jem krejtësisht i sinqertë me lexuesit tuaj. Por kjo nuk ka zgjatur shumë, sepse Zoti më ka dhuruar gjitha të mirat e mundshme. Më besoni, unë si nëntëvjeçar e kam ditur se çfarë do të punoj gjatë në të ardhmen. Gjithmonë kam pas dëshirë t’i imitoj gazetarët e radios, pra kam dëgjuar shumë radio dhe këngëtarë të ndryshëm. Zoti i madh m’i plotësoi që të dy këto pasione, pra unë punoj në radio dhe merrem me muzikë. Do të thotë që në të dyja jam i realizuar, duke e falënderuar Zotin për kurajën, dëshirën dhe guximin e dhënë.
Unë jam sprovuar, por edhe sfiduar. Kam pranuar sfida të ndryshme dhe i kam hyrë pa hezitim. Ju them me përgjegjësi të plotë se asnjë barrierë nuk e kam pasur nga Zoti. Barrierat dhe të këqijat i kam pasur vetëm nga njerëzit. Jam shumë i kënaqur, natyrisht që e kam vështirë apo jo, por megjithatë jam shumë i kënaqur me punët e mia. Unë për nga natyra nuk mjaftohem me pak, kështu që sa të jetoj dua të punoj dhe të jem në në krye të detyrës që më besohet.
Ju keni përfunduar shkollimin fillor dhe të mesëm?
Po kam përfunduar filloren dhe të mesmen. Dy vjet në shkollën për të verbër në Prizren. Më pas, në prill të vitit 1982 jam transferuar në Pejë në shkollën speciale, të cilën e kam vijuar edhe për dhjetë vite të tjera. Pastaj vijnë vite të vështira për Kosovën ku unë i takoi atyre gjeneratave që nuk kanë përjetuar as mbrëmje të maturës e asgjë, d.m.th të gjitha gjërat filluan nga gjeneratat tona.
Përndryshe këto përjetime nuk i fsheh kurrë se të miat janë. Më vonë deshi Zoti u hap Fakulteti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës edhe pse unë tashmë punoja në radio. Me insistimin e disa shokëve të mi që më bënin presion që të regjistrohem në degën e gazetarisë. Ka qenë profesori im i ndjerë Agim Deva dhe shoku im Demir Reshiti dhe disa të tjerë por këta më së shumti, që më kanë bërë presion që ta regjistroj Fakultetin e Gazetarisë, në të cilin diplomiva më 2 korrik 2010. Kam qenë dy herë bursist në Universitetin e Prishtinës dhe kam përfunduar me notën 10. Ndoshta kjo nuk është shumë e rëndësishme, megjithëse herë-herë e potencoj. Krahas studimeve kam punuar në radio dhe kam kënduar. Nuk kam vazhduar më tutje. Jam mjaftuar si gazetar i diplomuar.
Në cilin vit keni filluar të punoni në radio?
Është shumë interesante kjo punë. Në radio kam filluar të punoj në vitin 1999, konkretisht më 28 nëntor, me qëllim e kemi lënë apo jo në Ditën e Flamurit apo jo. Në vitin 1999 me zërin tim është hapur Radio Mitrovica. Më pas jeta më degdisi, sepse unë jam nga veriu i Mitrovicës, atje shtëpia më është djegur dhe gjithçka që kam patur aty më ka humbur. Por jeta me degdisi në Prizren. Aty punova në dy radio, Radio Besa dhe Radio Heliks. Më 11 mars të viti 2002 kalova në Radio Kosova, fillimisht me një emision, kurse tani punoj me orar të plotë. Emisioni im është çdo javë.
Cilat tema trajtoni me shumë në emisionin tuaj?
Temat janë kryesisht nga fusha e kulturës, shoqërisë, sportit, etikës, e kështu me radhë. Përpiqem që çdo minutë sa jam në studio të përgjigjem për atë minutë d.m.th për dallim prej televizorit të cilin e mbulon pamja, në radio duhet të pikturosh krejt çfarë ndodh. Unë emisionet e mia në 99 % të rasteve i realizoj drejtpërdrejtë dhe nuk pajtohem kurrë me ata që thonë se është më lehtë transmetimi i drejtpërdrejtë. Për ta realizuar këtë duhet të dimë çka flasim, si iu drejtohemi njerëzve të ndryshëm, p.sh Radio Kosova dëgjohet në gjithë botën, të informojmë drejt të gjitha ata shqiptarë që na dëgjojnë etj.
Duke hulumtuar për juve rastisa në një intervistë në radio Evropa e Lirë të zhvilluar online. Prej atyre që pyesin kishte edhe punëtorë shqiptarë në Irak të cilët ju dëgjojnë juve dhe madje kërkojnë që të reprizohet emisioni juaj?
Po rrënqethem tani që më kujtohet ai dëgjues i lajmëruar nga Iraku. Po, kam pasur telefona të ndryshme nga e gjithë bota, Iraku Libia, Kanadaja, Australia, Amerika, e vende të tjera.
Ketë e përmenda ngaqë mu duk interesante, pasi që siç e dijmë Iraku është në luftë dhe vend me rrezik të madh dhe të atillë që gjejnë kohën të ju dëgjojnë?
Vërtetë është shumë interesante. Por ky nuk është rast i vetëm nga ajo pjesë e botës, ka edhe shumë të tjerë që lajmërohen. Unë mendoj që radio ka një mision pavarësisht globalizimit dhe zhvillimit të mediave të tjera elektronike. Radio prapëseprapë ka rëndësinë e vet, ajo është shumë intime, në të mund të rrish si të duash, nuk ka nevojë të jesh me uniformë apo të kesh kujdes për veshjen tënde. Radio ka rahatinë e vetë, radio më mbush dhe unë për këto arsye e dua radion.
Më pak emocione nga televizori…
Po ndoshta ato emocione që dikush të sheh e kështu me radhë, ndërsa në radio nuk të sheh. Është ajo kutia magjike nga del ky zë i mirë a i keq, por se a duket kështu a ashtu, njerëzit le ta imagjinojnë.
Folëm për përvojën tënde si gazetar në radio, por tani të kthehemi pak te muzika. Kur keni filluar të merreni me muzikë?
Që i vogël. Atëherë fillova të këndoj dhe t’i imitoj këngëtarët. Pa e mbaruar klasën e tetë m’u pranua një këngë në festivalin “Zambaku i Prizrenit”. Këtu më duhet t’u kërkoj falje gjithë atyre, të cilëve këto informata shpeshherë i dëgjojnë. Më pas kam marrë pjesë në “Zambakun e Prizrenit” më 1993, 1994, 1996 ku me kompozitoren Arjeta Daci kemi marrë disa shpërblime. Pastaj, më 1995 dhe 1996 kam marrë pjesë në “Akordet e Kosovës” dhe në festivalin “Kënga Jonë”. Jam aktori i parë i verbër që kam luajtur në një film në Kosovë. në vitin 1997 Adem Mikullovci më dha një rol te “Një pallto për babain tim në burg”.
Në Kabare Kosova kam marrë pjesë në vitin 1994. Në festivalin e komedisë shqiptare “Presheva 94” jam shpërblyer për muzikën më të mirë. Kurse pas luftës kam fituar në “Zambakun e Prizrenit” 2000, 2002 dhe 2004. Për tekstin më të mirë në festivalin “Shoë Fest” 2003. Pastaj shpërblimin e publikuar në “Lyra Fest” 2007. Kam dy videoklipe të mia dhe dy të tjera në bashkëpunim me të tjerë. Deri tani kam realizuar dy albume të edituar. Pjesëmarrje në shumë koncerte humanitare, etj dhe asnjëherë nuk i refuzoj organizimet humanitare. Gjithmonë kam dëshirë të bëj diçka për të tjerët dhe kurrë nuk mendoj se kam bërë mjfat për ta.
Atëherë, çfarë planesh keni për këta njerëz?
Tani kam në plan të realizoj një video klip. Harrova t’ju them se unë kompozoj për të tjerët. Bile këngëtari i parë i grupit “Fisnikët”, Bedri Visoka më mori në telefon para një viti e ca dhe më tha se vetëm unë do të mund ta ktheja në skenë. Unë ia kompozova një këngë dhe vërtetë doli shumë bukur. Po ashtu kam kompozuar një këngë për vajzën e tij. Pra u jam kthyer kompozimeve edhe për të tjerët. Kam këngë që i kam kompozuar, por edhe që të tjerët kanë bërë për mua. Asnjëherë gjërave të mira nuk u them jo, Zoti i Madh e vlerëson çfarë është mirë çfarë jo. Fundja ne nuk e dimë, por mendojmë që bëjmë mirë.
Ju keni familje, por edhe shumë miq, angazhime në radio dhe këngë. Si ia dilni me gjithë këto?
Argëtimin kryesor ma sjellin fëmijët e mi. Fal Zotit kam dy fëmijë një djalë dhe një vajzë me ta merrem më shumë. Natyrisht kam miq të cilët i dua dhe më duan, por secili njeri ka obligime por megjithatë gjejmë kohë që të takohemi. Në një farë forme rrjetet sociale na e kanë lehtësuar komunikimin. Kur do ka kohë për të gjitha.
Si u dashuruat në media?
(Buzëqesh)
Para se të përgjigjem kësaj pyetje do ta kisha bërë një një digresion në mënyrë që të më kuptoni më mirë. Para një viti e gjysmë me takoi një mik imi në Mitrovicë, pasi që siç thashë më lartë unë vij nga Mitrovica dhe më thotë se djali im dëshiron të merret me muzikë dhe më kërkon ta ftojë në emision.
Unë i thashë se nuk mund ta ftoj në emision pasi që nuk ka ndonjë këngë dhe se duhet të ecim me hapa me të ngadalshëm, apo jo. Por mirë më thotë ai, të paktën një këshillë më jep për të. Këshilla ime për të ishte që të dëgjonte muzikë. Ai mbeti i habitur.
Kështu, unë mendoj se njeriu i cili dëshiron të punoj në ndonjë medium çfarëdoqoftë ai (radio apo televizion) duhet t’i përcjell programet e tyre, duhet të dëgjojë shumë radio e kështu me radhë. Unë për vete jam rritur me radion, më saktë me radio Prishtinën, posaçërisht me programin e dytë por edhe me programin e parë me disa emisione specifike siç kanë qenë: radio dramat, emisionet sportive, radio teatrot e ndryshme edhe për fëmijë edhe për të rritur. Programi i dytë ka qenë më zbavitës për të rinj e kam dashur shumë. Po ashtu jam rritur edhe me Radio Tiranën të cilës herë i shkonin e herë i vinin valët.
Por sa herë që kisha qasje e ndiqja prej emisionit të mëngjesit e deri të emisionet e mbrëmjes ato të vonshmet. Kam dashur emisionet “Teatri në mikrofon”, “Radio Teatri”, “Heroizmi i popullit tonë në shekuj”, “Fjala artistike në mikrofon”, “Shfletojmë librin artistik” e shumë të tjerë.
Përmes kësaj radioje kam ndjekur edhe sportin shqiptar. Kam dashur skuadrën në atë kohë të 17 Nëntorit (sot ekipin e Tiranës) të cilin edhe edhe sot e kësaj dite vazhdoj ta pëlqej. Tani janë të shumë zërat që më mungojnë nga Radio Tirana. Ne me të vërtetë ne e donim shumë Shqipërinë, të atillë çfarë e imagjinonin.
Më kujtohet një rast në Tiranë para tri vjetësh kur i tregoja një miku tim se po të na sillte dikush qoftë edhe një pako llokume nga Shqipëria ne e ruanim si të ishte trofe. Unë mbaj mend një kavanoz mermelatë nga Elbasani të cilin nuk e lejoja nënën që ta hapte pasi që vinte nga Shqipëria e kështu me radhë.
Në vitet e 80-ta si vogëlush mbaj mend kur erdhën dy tezet e mia, Nexhmija dhe Qelebija të cilat nuk jetojnë më, dhe unë u ula në prehrin e të dyjave dhe nuk doja t’i ndërroja pantallonat me ditë të tëra pasi që isha ulur në prehrin e tezeve nga Shqipëria. Për mua këto ishin dashuria më e madhe.
Edhe sot ndjek mediet shqiptare, ndjek edhe mediet ndërkombëtare etj. Sot është me lehtë, sot kemi aparaturë moderne të cilat shumë mirë janë adaptuar edhe për të verbër. Tani edhe të verbrit mund të përdorin telefonë të mençur. Por një peng e kam. Ajo është skena muzikore shqiptare në të cilën akoma nuk perfermuar.
Ju keni jetuar në Mitrovicë, Prizren, Pejë, ndërsa tani jetoni në Prishtinë. Në cilin prej këtyre qyteteve ndiheni më mirë?
(Përsëri buzëqesh)
I dashur Shkëlzen, unë kam jetuar 27 vjet në Mitrovicë, unë ende ëndrrat e mia i shoh në banesën time atje lart në Mitrovicë, në pjesën veriore, pjesën e okupuar të Mitrovicës. Kam jetuar një kohë të shkurtër në Prizren dhe atje, siç thonë tek ne në Mitrovicë, e kam gjetur nafakën (qesh) që do të thotë gruan e kam nga Prizreni. Por në Prishtinë kam pasur dëshirë të jetojë prej viteve të 90-ta.
Jo pse e dua, se unë Mitrovicën e dua ashtu siç ka qenë e tëra më së shumti. Por, mendoj që në Prishtinë për fatkeq gjithçka ëhtë e përqendruar. Pra, kryeqyteti i ka përpirë i ka gllabëruar të gjitha edhe pse unë nuk mendoj se e gjithë Kosova është në Prishtinë. Edhe në vende tjera kam kaluar shumë mirë, sidomos në Prizren. Por, pjesa kryesore e jetës time tani është në Prishtinë.
Si do ta mbyllnim bisedën tonë të parë Mentor?
Unë e respektoj shumë njeriun. Motoja ime sa herë që i jap fund emisionin tim është: natën e mirë njerëz të mirë, ju me energji pozitive. Unë Mentor Mripa jam njeri pa pikë kompleksi, shpeshherë bëj shumë shaka në llogarinë time. Nëse më lejohet do ta tregoja një shaka të shkurtër që më pat ndodhur me një mik të mirë timin Fatmir Mustafën, të cilin serbët e kanë vrarë më 14 prill 99. Ky para luftës kishte një lokal në Mitrovicë me emrin “Gresa”. I kërkoj Fatmirit të më shoqërojë në tualet, ai më ndihmon edhe ndez dritën. I them mos je çmendur, çfarë me duhet mua drita kur unë nuk e shoh.
Të nesërmen prapë i bie shorti këtij të të më shoqëroj në tualet dhe e ndez dritën ky. I them prapë se po bën gabimin e njëjtë, ndërsa ai ma kthen: drita ishte e ndezur dhe unë e fika pasi që ty nuk të duhet gjë. Të dy qeshim me të madhe. Pra ka shaka të ndryshme. Në fund të bisedës do të përmend një ngjarje në një iftar të shtruar nga një mik imi.
Aty një hoxhë fillon të flas dhe ndër të tjera thotë se ja ku e kemi Mentor Mripën, vëllaun tonë i cili e ka xhenetin të garantuar. Unë u preva, u shokova por, si një opozitë e përhershme që jam reagova. I thashë se sa për që nuk shoh unë mund të vjedh, të gënjej, të jem shumë i keq, por nuk dua të jem. Ndoshta e kam biletën më të lirë, por hyrjen atje të garantuar nuk e ka askush.
I lus që të gjithë që t’i kryejmë detyrat tona në mënyrën më të mirë, pa iu përzier askujt në punët e të tjerëve, të duam Zotin tonë dhe vetëm kështu punët do t’i kemi më mirë. Faleminderit shumë që më dhatë mundësinë të jem mysafir i juaj. /tesheshi.com/