Kur ne shkojmë nëpër spitale, gjëja e parë që na kërkojnë mjekët ndër të tjera është një analizë gjaku. Kjo gjë e dobishme duket shumë e thjeshtë, mirëpo për ta zbuluar atë janë dashur shekuj e vite studime dhe hulumtime. Ndër meritorët kryesorë të këtij zbulimi është Ibën Nefisi, një mjek arab që ka vdekur në vitin 1288. Ibën Nefisi ka lindur dhe është rritur në Damask. Ai fillimisht u edukua me kulturën fetare duke u specializuar kryesisht në shkencat e jurisprudencës islame, konkretisht të shkollës Shafi’ite. Për kohën e tij, ai ishte një nga referencat e kësaj shkolle.
Më pas ai studioi për mjekësi pranë kompleksit spitalor ‘’Bimaristan Nurij’’. Bimaristan është një fjalë perse që do të thotë “vendi të sëmurëve”. “Vendi të sëmurëve”, apo spitali siç i themi sot, u themelua për herë të parë në kohën e dinastisë Emevite në duart e kalifit Velid ibën Abdul Melik.
Merita e mjekëve muslimanë në përgjithësi qëndron në ndarjen e spitaleve të specializuara nga azilet e pleqve dhe qendrave të njerëzve të sëmurë mendorë, të cilat më parë miksoheshin me njëra-tjetrën. Pra spitalet i gjeje të mbushura me pleq azilantë dhe të sëmurë mendorë që jetonin aty, përveç të sëmurëve.
Ibën Nefisi e mësoi mjekësinë në duart e mjekut të shquar prej Damasku, Ibën Hidvari. Ai u thellua në studimin dhe mësimin në mënyrë shkencore të kurimit dhe operacioneve. Ai në mjekësi ndiqte shkollën e mjekut arab Harith Eth Thekafij, i cili kishte jetuar në kohën e Profetit Muhammed a.s dhe që konsistonte në mënjanimin e ilaçeve sa më shumë të ishte e mundur. Kjo shkollë pohonte se ilaçet duhet të merreshin në rast nevoje ekstreme. Krejt në kontrast pra me kohën, ku në vendet e tjera të globit magjistarët apo pseudo-mjekët popullorë e bombardonin popullin me lloj-lloj përbërësish e kimikatesh të cilët shpesh nuk u kursenin jetën as mbretërve.
Përgjatë studimeve dhe hulumtimeve që ai i ka bërë referencave mjekësore, ai filloi të konstatojë disa gabime që kishin bërë mjekët e hershëm si dhe filloi të korrigjojë disa nocione të gabuara. Merita kryesore e tij ishte zbulimi i qarkullimit të vogël të gjakut në trupin e njeriut. Me këtë zbulim revolucionar për njerëzimin ai korrigjoi referencën mjekësore të kohës që bazohej në teoritë e mjekut romak me origjinë greke, Galeni. Galeni besonte se gjaku krijohej në mëlçi dhe më pas shtyhej për në zemër, e cila më pas e pomponte atë me radhë në venat dhe gjymtyrët e trupit.
Mirëpo Ibën Nefisi vërtetoi se gjaku del nga zemra për tek mushkëritë, më pas ajo pastrohet me oksigjen për t’u rikthyer sërish në zemër. Prej këtu ajo pompohet në pjesët e tjera të trupit. Sot kjo teori njihet si qarkullimi minor i gjakut. Gjithashtu Ibën Nefisi provoi se muri midis dy barkusheve të zemrës, ai i majti dhe ai i djathti, është një mur i ngurtë i cili nuk përmban pore, siç mendohej më parë.
Ky zbulimi i tij ka ardhur tre shekuj përpara se italiani Rialdo Colombo dhe spanjolli Miguel Serveto të zbulonin qarkullimin minor të gjakut. Kjo pasi evropianët nuk e njihnin zbulimin e Ibën Nefisit, sepse librat e tij nuk ishin përkthyer në gjuhët e tyre. Kjo nuk është hera e parë që kultura arabo-islame përcillet nëpër muzetë e Evropës pa autorësisë e vërtetë të tyre.
Kjo situatë vazhdoi kështu derisa një student egjiptian i quajtur Muhjidin Tetavi gjatë studimeve të tij në bibliotekën e Berlinit në Gjermani, zbuloi dorëshkrimin e Ibën Nefisit e cila vërtetonte zbulimin e këtij të fundit. Ky dokument u zbulua në vitin 1926. Këtë gjë ai e përfshiu në disertacionin e tij të Doktoraturës në të cilën fliste për historinë e mjekësisë arabe.
Komisioni doktoraturës u habit nga ky zbulim dhe kërkuan prej Muhjidinit që ta çertifikonte këtë zbulim të tijin tek mjeku gjerman, Maks Mirhof i cili jetonte në Kairo dhe që e njihte mirë gjuhën arabe. Dr. Mirhofi pohoi se zbulimi i Muhjidinit ishte i saktë. Prej këtu zbulimi i Ibën Nefisit u njoh për herë të parë botërisht.
Pas kësaj, gjermanët ia përcollën këto informacione historianit amerikan me origjinë nga Belgjika, George Sarton, i cili në profesion ishte kimist dhe farmacist. Ai ka bërë një libër në të cilën vërteton historinë shkencore humane të quajtur: ‘’A Guide to the History of Science’’. Në kapitullin e pestë të këtij libri Sarton përfshin zbulimin e Ibën Nefisit. George Sarton ka qenë një historian me prestigj, i cili e ka studiuar me kërshëri qytetërimin arab dhe islam. Për këtë gjë ai ka mbajtur shumë seminare dhe konferenca rreth vlerave të arabëve dhe muslimanëve në zhvillimin e shkencave humane. Gjithashtu, shkencëtari George Sarton njihet edhe për vlerësimet sublime që ka bërë në adresë të Profetit Muhammed a.s.
Ibën Nefisi ka jetuar në kohën e mësymjeve dhe masakrave të mongolëve. Theksojmë këtu se kur këta të fundit pushtuan Bagdadin, shkatërruan edhe bibliotekën kryesore të saj, për rrjedhojë humbën shumë nga librat e Ibën Nefisit; e jo vetëm të tij, por të gjithë qytetërimit arabo-islam. Bota humbi shumë nga teoritë e lashta mjekësore, filozofike dhe të çdo lloj dijeje tjetër, pasi filozofia greko-romake ishte kryesisht e përqendruar në qytetërimin islam të kohës.
Ibën Nefisi ka jetuar për rreth 22 vjet edhe në Paris, pasi atë e thirrën atje saulltanët e Egjiptit, Sirisë, e të disa vendeve të tjera, të cilët kishin dezertuar nga mongolët. Ftesa ishte që ai të ishte mjeku tyre personal. Pasi Mensur Klavuni e mori në dorë sundimin e Egjiptit, ai themeloi një spital gjigand në Kairo dhe në të cilën emëroi Ibën Nefisin si drejtuesin e mjekëve.
Në vitin 1271, në Egjipt ra një sëmundje vdekjeprurëse e cila i mori jetën e shumë njerëzve. Ibën Nefisi zbuloi kurën e saj. Për këtë gjë, sulltani e shpërbleu me një shumë të majme. Këto para ai i përdori në shërbim të mësimdhënies, kërkimeve dhe dijes. Ibën Nefisi e kaloi pjesën e mbetur të jetës në Kairo dhe nuk u kthye më në Damask. Ai vdiq atje në vitin 1288.
Burimi: Aljazeera
Përktheu nga arabishtja: Enklid Pelari – /tesheshi.com/