Sigurisht, e gjitha ishte një propagandë tipike pushteti. Një tubim rinor i gjithi me sfond politik, një lloj eurosocializmi i epokës “Rama” në PS, pati gjithsesi si lajm një të ri lushnjar kthyer në meme e bërë viral. Me modelin më të shëmtuar të flokëve si trend i sotëm i kësaj moshe, që ka qenë ndonjëherë në modë, i riu nga Lushnja la nam me çjerrjen e tij të shëmtuar, po aq të shëmtuar sa dhe fjalëformimet duke i bërë furça vetes dhe partisë në pushtet, deri në nivel pezmatimi shoqëror për këtë brez, i cili të përcjell ndjesinë se, edhe nëse shkëlqejnë në mësime, pak gjasë ka të shkëlqejnë nesër si sfidantë politikë apo thjesht shoqëror.
Muaj më parë, një e re socialiste e quajtur Helena Kaçe do servirej si një kryeministre e ardhshme. Në fakt, nuk ishte asgjë më tepër se një naive e pushtuar nga veneracioni për Ramën, ngjashëm si ministrja Manastirlliu kur ishte gjimnaziste. Dhe duket se deri te ajo e jo më tej shkonte vetëdija politike e brezit të sotëm.
Duke iu rikthyer djalit nga Lushnja, ai ngjante të ishte pezmatueshëm si fytyra reale e moshës së tij në raport me pushtetin apo politikën, por në fakt nuk ishte kështu nëse media do tregohej pak më profesionale e më pak cinike. Sepse, sa qe lajm i keq ai, ishte lajm i mirë dhe një e re gjimnaziste nga Bilishti.
Anastasia Zaimi ishte krejt e kundërta e bashkëmoshatarit të saj lushnjar, përballë së cilës Helena Kaçe dukej si një budallaqe e paformuar.
Foli pak, me një elokuencë dhe gjykim brilant. Doli mjeshtërisht nga kuadri ligjërimor i propagandës dhe madje i dha një shuplakë virtuale Ramës me ato që tha.
“A është tunduese dëshira për të ikur jashtë? Po. Por, ajo kurrë nuk është më e fortë se sa dëshira për të qëndruar aty ku ke rrënjët dhe pranë familjarëve të tu. Po pikërisht mangësitë e këtushme janë ato që e venitin tepër këtë ndjenjë. Nuk mundet t’i mbani studentët me një urdhër, qëndro. Ka ardhur koha që tu tregoni të rinjve se ata mund të bëjnë shumë. Por, ç’është më e rëndësishmja, mund të bëjnë shumë në Shqipëri”, tha ajo ndër të tjera, ku gjithashtu, me një analizë të thjeshtë e të thukët e rrëzoi propagandën mbi arsimin e lartë. Pra, ishte tipike prej atyre portreteve që duhet të mbahet mend, prej mesazheve inteligjente që përçoi, pa servilizëm që t’i sjellë zorrët te goja, si ai që duhet harruar, djali nga Lushnja. Ishte tipike prej atyre prerjeve që diç do bëhej, edhe për Shqipërinë. /tesheshi.com/