Foto dhe dokumentet tw vitit 1939. Pas demonstratave antifashiste në Korçë, profesor Kokona do të transferohej nga Korça në Tiranë. Akuza ishte se ai i kishte përgatitur liceistët duke ju mësuar vjersha me përmbajtje kombëtare…
Ishte 26 vjeç, në kulmin e energjive dhe pasioneve. I spaokthyer nga studimet në Francë, për Vedat Kokonën Shqipëria e pushtuar nga Italia fashiste ishte një realitet i hidhur, të cilin ai me aq sa kishte në dorë do të përpiqej ta kundërshtonte.
Me një përgatitje të thellë didaktike, dhe kulturë frankofone, Vedat Kokona do të emërohej në fillim të vitit 1939 si mësues i frengjishtes në Liceun e Korçës, aty ku kishte mësuar edhe vetë në fillimvitet’30, si liceist. Dhe pikërisht në atë lice ai do të jepte ndihmesën e tij për organizimin e një prej demonstratave më të mëdha antifashiste organizuar në Shqipëri pas pushtimit.
Një varg dokumentesh arkivore dëshmojnë plotësisht rolin e tij në këto demonstrata, si një prej profesorëve që i kishte ushqyer liceistët me ndjenja kombëtare duke ju mësuar këngë dhe vjersha atdhetare të cilat do t’i thonin gjatë demonstratave të 28 nëntorit.
Si i pari përvjetor i festës së Pavarësisë që festohej pas pushtimit, administrata e re fashiste kishte menduar të hidhte në qarkullim flamurin e ri ku veç simbolit të shqiponjës ishin shtuar simbolet fashiste. Siç e vërtetojnë shumë dokumente të Ministrisë së Brendshme, ishte urdhëruar që ky flamur të valëvitej në çdo shesh, dritare zyrash e shkolla, në rrugë e ballkone shtëpsh atë 28 nëntor. Por kjo ishte pritur me protesta të hapura kudo në Shqipëri dhe thirrjet e parrullat “Duam flamurin e Ismail Qemalit” ishin përhapur pothuajse në të gjithë qytetet kryesore.
Sipas dokumentacionit arkivor, ky qe një prej shkaqeve që nxiti edhe demonstratat në Korçë. Regjimi fashist përgatitej prej disa muajsh për festimet e Pavarësisë në sheshet kryesore të qyteteve Shqiptare, ku një ndër shtyllat e festimeve do të ishte shpalosja e flamurit të ri me sëpatën e Liktorit dhe kurorën e Viktor Emanuelit si dhe nderimet e shumta me parrulla fashiste. Por me 28 nëntor në Korçë, si edhe në Shkodër e Tiranë festimet ishin shndërruar në demonstrata të fuqishme ku në krye kishin dalë nxënësit e liceve dhe profesorët e tyre të cilët ishin ndjekur nga masat e shumta të popullit.
Në vazhdën e këtyre ngjarjeve ishte përfshirë edhe profesori i frengjishtes në liceun e Korçës, Vedat Kokona, i cili sic edhe gjithë profesorët dhe liceistët e korçës kishin kaluar në sitën e hollë të regjimit fashist. Pas demonstratave, nga hetimet e bëra prej Ministrisë së Brendshme ishte mbërritur në përfundimin se Vedat Kokona dhe disa profesorë të tjerë i kishin përgatitur liceistët e Korçës prej shumë kohësh duke iu mësuar vjersha e këngë patriotike përmes të cilave do të çonin peshë revoltën e qytetarëve të shumtë mbledhur në sheshe.
Nga korrespodenca e ngjeshur e ditëve, menjëherë pas 28 nëntorit 1939, mes Ministrisë së Brendshme e Prefekturës së Korçës, kemi shkëputur këto shkresa ku përmendet pezullimi nga detyra i profesorit të frëngjishtes Vedat Kokona.
Dokumenti i pare është një telegram i nisur nga Korça, i cili njofton se nga profesorët e raportuar si nxitës të protestave nuk ishin transferuar ende, Masar Shehu e Loni Kristo, ndërsa njoftohet më tej se rezultonte i implikuar në këto ngjarje edhe Vedat Kokona si stërvitës i studentëve, të cilët kishin kënduar ditën e protestës poezi kombëtare.
Dokumenti i dytë është një telegram i Ministrisë së Arsimit për Ministrinë e Brendshme, ku njoftohej se ishte marrë me kohë masa kundër profesorëve Masar Shehu e Loni Kristo, ndërsa Vedat Kokona ishte shpërngulur në Tiranë.
Ndërsa dy dokumentet e tjera të datave 22 dhe 23 janar 1940 dëshmojnë se ngjarjet kanë percepituar në Korçë, ku liceistët kanë shfaqur rebelimin e tyre dhe kanë kundërshtuar përshëndetjen fashiste. Përplasjet kanë ngjallur shqetësim deri në rangjet e larta shtetërore, duke u njoftuar se në Korçë do të shkonte vetë ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, për të siguruar një zgjidhje për këtë problem.
***
MBRETNIJA SHQIPTARE
PREFEKTURA E KORÇËS
Nr. 235/20 ReS.
Korçë, më 21 Dhetuer 1939-XVIII
P. T.
Ministris së P. të Mbrëndëshme
(Seksionit Politik)
Tiranë
Në lidhje të t’onës Nr. 235/XVII Res d. 7/XII/1939-XVIII.
Parashtrojmë se, nga Profesorët e raportues me të sipërmen, nuk janë transferue ende Mazar Shehu e Loni Kristo, këta si shtytësa të manifestimevet të bame në datën 28 N/tor të k.v.
Rezulton i komplikuem në manifestimet e zhvillueme edhe Profesor i Lyceut Vedat Kokona i cili, prej ditësh ishte tue stërvitur studentët në Poezina Kombtare për t’u këndue ditën e festës.
Prandaj lutemi me ndërmjetsue për transferimin e tre Profesorvet në fjalë së këndejmi.
Prefekti i Kl. I rë
(Dr. Anton Kosmaçi)
***
MBRETNIJA SHQIPTARE
Ministrija e Arsimit
Nr. 363/7 R
Tiranë, më 18-1-1940-XVIII
P. T.
Ministris së P. të Mbrendshme
(Seksjonit Politik)
Tiranë
Gjegje e shkresës s’Uej Nr. 724/80 dt. 30.XII.39.
Në lidhje me sa na shkruehet me të sipërmen kemi nderen t’I njoftojmë asaj P.T.Ministrije se kundra profesorëvet të Liceut të Korçës ZZ.Mazehar Shehu dhe Loni Kristo kemi marrë me kohë masën e pushimit.
Profesori Zot.Vedat Kokona e kemi shpërngulë në Tiranë.
M I N I S T R I :
(firma)
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
Zyra Sekrete
Mbritun më 19-I-40-XVIII
Nr. 724/99 ex 39
***
Prefektura e Korçës
Nr. 20 Res.
Korçë më 22-1-1940.
Ora 15.05
Urgent
Ministris P. të Mbrendëshme
Seksionit Politik
Tiranë
Fakti i dbimit të studentave nga Lyceu të këtushmë që kishin raportue me tonën Nr. 235/17 Res ex 39 datë 7-12-1939-XVIII Ka egërsue sjelljet të studentave të tjerë . Studentët të klasës shtatë kanë deklarue në klasë se nuk kanë për të salutue fashistekisht . Ata të klasës tet po ashtu nuk salutojnë . Studentat të klasës katërtë kanë vendosun të përdorin violencë kundra profesorit Allkaj .
Drejtori i lyceut ka dhanë ultimatum që qysh prej datës 18 të k.m. klasës shtat që ditën e parë mbas bajramit po të mos përshëndeshin do të zbohen nga shkolla . Në marëveshtje me Komandantin të grupit të Ç.RR për të evitue ndonji ngjarje jasht lyceut kundra sigurimit publik u disponuen nji fuqi karabinjerësh për survejimin të studentave për reth lyceut . Përfundimi i ultimatumit do të njoftohet nesër .
Prefekti
Dr. A. Kosmaçi
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
Zyra Sekrete
Mbritun më 22-I-40-XVIII
Nr. 724/100 ex 39
***
MBRETNIJA SHQIPTARE
MINISTRIJA E P. TË MBRENDËSHME
Seksioni Politik
Nr. 724/102 ex 39
Tiranë, më 23-I-940-XVIII
P. T.
MINISTRIS SË ARËSIMIT
TIRANË
Prefektura e Korçës, me telegram urgjent të sotshëm, na njofton se, sot studentat e klasave të shtatë e të tetë nuk salutuan fashistikisht pa përjashtim.
Drejtorija e Lyceut ka pezulluar mësimet në gjith Lyceun.
Prefektura, si masë urgjente, propozon mbylljen e klasave të shtatë e të tetë dhe për të tjerat të vazhdojnë mësimet qysh nesër.
Prefektura shton se duhet të urdhërohet Drejtori i Institutit për të bërë hetime për klasat e tjera, tue përjashtue nga këto edhe disa nxanës të pa-disiplinuar.
Studentat e klasave të shtatë e të tetë jo korçare, thotë prefekti, si dhe të klasave të tjera që do të përjashtohen eventualisht, të largohen nga Korça.
I telegrafuam Prefektit që për këtë qëllim nesër shkon në Korçë Titullari i asaj Ministrije me të cilin të jetë në bashkëpunim të plotë.
M I N I S T R I :
M. B.
Përgatiti: Alba Skëndaj – /tesheshi.com/