Sot në orën 12:00 mbahet protesta kundër themelimit të Gjykatës Speciale dhe kundër padrejtësive të vazhdueshme që janë bërë dhe po bëhen nga gjykatat ndërkombëtare ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëtarëve të saj.
“Sot në orën 12:00 do të mbahet protesta kundër padrejtësive të luftës së drejt të UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj. Protesta do të mbahet në Sheshin ‘Skënderbeu’ për të vazhduar më pas te selia e EULEX-it. Po ashtu do ta kundërshtojmë edhe krijimin e Gjykatës Speciale”, ka deklaruar Xhavit Jashari gjatë një konference për media.
Jashari u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos e votojnë Gjykatën Speciale, sepse, sipas tij, kjo gjykatë është e dëmshme për të ardhmen e Kosovës.
“Duhet të kundërshtojmë fuqishëm edhe formimin e Gjykatës Speciale që mendojmë që është shumë e dëmshme jo vetëm për luftën por është e dëmshme edhe për vetë institucionet sepse suprimon autonominë, suprimon shtetësinë, suprimon drejtësinë në Kosovë dhe mendojmë që ne duhet ti fuqizojmë organet e drejtësisë që i kemi këtu”, vijon ai. /tesheshi.com/