Policia në Kukës ka vënë në pranga tre persona, të cilët, duke u hequr si fallxhorë, u zhvatnin njerëzve të dhënë pas parashikimit të së ardhmes së afërt e të largët, para e bizhuteri. Ata janë: Ardian Rakipi, 43 vjeç, bashkëshortja e tij Vjollca Gatali, 43 vjece dhe Elena Muhaxheri, 36 vjeçe nga fshati Halil i Krujës.
Akti i tyre që çoi në ndjekje dhe më pas në arrestim, ishte i vjedhjes në një banesë të 500 eurove, 3 mijë lekëve, të një varëse e të një palë vathëve floriri, e të dy unaza prej sermi. Aty ata kishin hyrë pikërisht për “t’i parë filxhanin” të zonjës së shtëpisë, 61 vjeçe, e cila jetonte e vetme. /tesheshi.com/