Presidenti Donald Trump dhe ish-Zv.presidenti Joe Biden do ta mbajnë debatin e tyre të parë të martën, më 29 shtator.
Synimi i tyre kryesor në këtë debat do të jetë të shmangin gabimet, sidomos ndonjë gabim që mund t’u kushtojë shumë.
U hedhim një vështrim disa momenteve historike të debateve presidenciale amerikane në vite:
Nga debati Kennedy-Nixon, tek ai Clinton-Trump, ndeshjet mes kandidatëve presidencialë kanë prodhuar momente disa herë përcaktuese, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në politikën amerikane.
“Pothuajse në çdo cikël debatesh, gjithnjë ka ndodhur diçka që i ka treguar popullit amerikan këtë ose atë gjë që ata kishin nevojë të dinin rreth kandidatit,” thotë Walter Mondale, kandidat demokrat për President në vitin 1984.
Për ish-kandidatin Mondale, kjo ndodhi dy herë kur ai u përball me Presidentin Ronald Reagan i cili kërkonte një mandat të dytë.
“Reagani nuk po e ndiqte mirë skenarin e tij. Ai niste njërin nga ato fjalime të vogla që kishte mbajtur gjatë fushatës dhe ngecte në mes, harronte se ku donte të dilte”, kujton ai.
“Ne nuk kemi shumë mundësi për t’i parë kandidatët të pafiltruar, të dy bashkë dhe drejtpërdrejt në televizion, pa të tjerë që t’i këshillojnë se si të flasin,” thotë Alan Schroeder, profesor i gazetarisë në Universitetin Verilindor. Ai ka shkruar një libër mbi rolin e televizionit në debatet presidenciale duke filluar me debatin e parë në vitin 1960 midis kandidatëve John Kennedy dhe Richard Nixon.
“Nixoni, sapo kishte dalë nga spitali, kishte humbur shumë peshë, ishte shumë i zymtë, nuk kishte bërë grim, ishte i djersitur dhe nuk dukej mirë në kamera,” thotë zoti Schroeder.
“Nixoni refuzoi të bënte grim dhe dukej sikur kishte një hije në fytyrë. Për ata që e dëgjuan debatin në radio menduan se Nixoni fitoi. Për ata që e panë në televizion, ishte Kennedy që fitoi,” thotë Frank Sesno, Drejtor i Nismave Strategjike në Universitetin George Washington, i cili ka mbuluar Shtëpinë e Bardhë për televizionin CNN.
“Një moment i famshëm ka qenë kur kandidati Gerald Ford u përpoq të tregonte se Polonia nuk ishte pjesë e perandorisë sovjetike…” thotë zoti Sesno.
Kandidati Ford deklaroi në debat: “Nuk ka asnjë dominim sovjetik të Evropës Lindore dhe nuk do të ketë kurrë nën një administratë Ford”.
Mary Kate Cary, e cila jep shkenca politike në Universitetin e Virginias, thotë se kur kandidati tha këto fjalë, moderatori i debatit pothuajse mbeti pa fjalë.
Zonja Cary ka qenë shkruese fjalimesh për Presidentin George Bush i parë, kur ai bëri debatin me kandidatët Ross Perot dhe Bill Clinton në vitin 1992.
“Njëri prej të dyve kishte shkelur rregullin, po e kalonte shumë kohën e caktuar. As moderatorja Carole Simpson nuk po e zbatonte rregullin. Atëherë kandidati Bush fillon të tregojë orën e tij si një sinjal që ata të zbatojnë rregullin. Mirëpo audienca nuk i di rregullat. Publiku kujton se ai po e shikon orën për të ikur, për të ngrënë një hamburger apo diçka tjetër. Kështu, e gjitha kjo shkoi në dëm të Xhorxh Bushit,” tregon zonja Cary.
“George Bushi nuk duhet ta kishte bërë. Dhe është interesante se, vite më vonë, kur u intervistua nga gazetari Jim Lehrer, ai e pranoi se nuk duhet ta kishte bërë atë që bëri,” komenton analisti Schroeder.
Në debatin e parë me kandidatin Walter Mondale në vitin 1984, Ronald Reagani fillimisht nuk u paraqit edhe aq mirë, por më pas ia doli me një shaka për moshën.
“Dua që ju ta dini se nuk dëshiroj ta bëj moshën temë të kësaj fushate. Nuk do të shfrytëzoj, për qëllime politike, rininë dhe mungesën e përvojës te rivali im”, tha ai.
Duke kujtuar atë moment, zoti Mondale kujton:
“Kur ai e tha këtë unë qesha, mendova se ishte shaka. Në fakt ai më dha një goditje mjaft të bukur. Mes të qeshurës sime pati disa pika loti.”
Walter Mondale humbi ndaj Ronald Reaganit me rezultat të thellë në zgjedhje. /VOA/