Theresa May u ka kërkuar udhëheqësve të BE-së të ushtrojnë presion mbi Rusinë për t’i ndaluar mizoritë e saj në Siri.
Qëndrim i bashkuar dhe i fuqishëm përballë agresionit rus është ajo për çfarë ka bërë thirrje kryeministrja britanike me të arritur në Bruksel, në të parin samit të saj europian.
May dhe homologët e saj europianë do të diskutojnë mbi reagimin e BE-së ndaj Rusisë, një debat që, siç bën të ditur The Guardian, është kërkuar përpara rritjes së shqetësimit ndërkombëtar për bombardimet e vazhdueshme në Halep.
Shefja e qeverisë britanike ka dashur t’i qetësojë gjithashtu udhëheqësit europianë, duke premtuar se Britania ka për të qenë një partnere e fuqishme dhe e besueshme pasi të largohet nga BE-ja.
“Eshtë në interesin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Bashkimit Europian që ne të vazhdojmë të punojmë ngushtë së bashku, përfshirë këtë samit,” ka thënë May.
Pritet që Theresa May t’u komunikojë partnerëve europianë se vendimi i Britanisë për ta lënë unionin është i pakthyeshëm, e se nuk mund të ketë një referendum të dytë. /tesheshi.com/