Ahmet Davutogllu ka dhënë intervistën e parë televizive pas zgjedhjeve në Turqi. Në kanalin e mirënjohur informativ CNN International ai ka lënë të hapur mundësinë dhe të një operacioni tokësor në luftën kundër ISIS-it.
“Ka nevojë për një strategji të integruar,” ka deklaruar ai, “duke përfshirë fushatën ajrore dhe trupat tokësore.”
Në këtë kuadër, Davutogllu ka shprehur dhe gatishmërinë e vendit të tij për të qenë pjesë e një strategjie të tillë. “Nëse ka një strategji të planifikuar mirë, Turqia është gati të marrë pjesë në këto përpjekje, në çdo kuptim.”
Ai e vuri theksin dhe te kriza siriane e te boshllëku i pushtetit. “Të bësh thjesht një sulm tokësor kundër ISIS-it, por të vazhdosh të kesh një boshllëk pushteti në terren, në vend të ISIS-it mund të shfaqet një tjetër grup terrorist.” “Duhet ta zgjidhim krizën siriane në mënyrë të gjithmbarshme,” deklaroi kryeministri turk. /tesheshi.com/