I ftuar në një aktivitet të organizuar nga e përditshmja gjermane Süddeutsche Zeitung, Manuel Valls e ka paraqitur me nota të errëta situatën në Europë, duke vënë në pah gjithashtu përgjegjësinë e Francës dhe Gjermanisë në tejkalimin e saj.
“Bashkimi Europian rrezikon të shpërbëhet nëse Franca dhe Gjermania, në veçanti, nuk punojnë fort për të nxitur rritjen dhe punësimin, e për t’u vënë veshin shqetësimeve të qytetarëve,” është shprehur kryeministri francez një ditë më parë në Berlin.
Franca, sipas tij, duhet të vazhdojë ta hapë ekonominë e saj, ndërsa Gjermania, e po ashtu BE-ja si një e tërë, duhet të shtojnë investimet për të nxitur rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, si dhe për t’i dhënë një shtysë mbrojtjes.
Pasi ka vënë në dukje se Europa rrezikon të shembet, Valls ka shtuar, “Prandaj Gjermania dhe Franca kanë një përgjegjësi të madhe.”
Dy vendet, si boshti rreth të cilit është sjellë BE-ja për dekada, do duhej të jepnin ndihmën e tyre për ta ripërqendruar bllokun te zgjidhja e krizës së emigracionit, te mungesa e solidaritetit midis shteteve anëtare, te largimi i Britanisë, e te terrorizmi, ka qenë mendimi i kryeministrit të Francës. /tesheshi.com/