Kryekuvendari Kadri Veseli priti sot një delegacion të gjerë nga Komisioni për Çështje Evropiane nga landi Nordrhein Westfalen i Gjermanisë.
Duke falënderuar delegacionin gjerman për mbështetjen e deritashme të Gjermanisë ndaj Kosovë në të gjitha sferat, kryeparlamentari Veseli, theksoi se Berlini zyrtar vazhdon të mbetet një nga përkrahësit më të fuqishëm të vendit tonë, si në rrafshin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Kryetari Veseli, u shpreh se Kosova vazhdon të ketë nevojë për investime të huaja dhe në këtë drejtim, theksoi domosdoshmërinë e një pranie më të madhe të bizneseve gjermane në vendin tonë.
Ai tha, se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore, në funksion të përmirësimit të klimës së biznesit, duke e bërë atë më tërheqëse për investitorët e huaj. /tesheshi.com/