Një fëmijë i vogël qëndron shtrirë në prehrin e së ëmës, duke u ankuar nga dhimbja, kraharori, fytyra dhe duart e djegura. Një grua qëndron e topitur, vetëm në një qoshe. Edhe ajo, po ashtu, ka djegie në të gjithë trupin.
Skena të tilla vuajtjesh janë bërë të zakonshme në spitalin sadar në qytetin–port të Bangladeshit, Cox’s Bazar. Këta pacientë janë refugjatë Rohingya që janë arratisur nga sulmet e ushtrisë në shtetin Rakhine të Majnmarit fqinj.
“Ushtria erdhi dhe më dogji deri në themel shtëpinë. Unë isha brenda shtëpisë në atë kohë, thotë një paciente, 30-vjeçarja Shahida Begum. “Pas asnjë rrugë për t’u larguar, u përfshiva nga flakët dhe kam djegie në gjithë trupin”.
“Dhimbja është e padurueshme”, shpjegon ajo. “Ishte më mirë të kisha vdekur sesa të vuaja kështu”.
Tre nga djemtë e Shahidës u vranë dy ditë përpara sesa shtëpisë së saj në fshatin Rasidong t’i vihej flaka.
“Jeta nuk do të jetë kurrë si më parë”, thotë ajo.
Dildar Begum dhe vajza e saj 10-vjeçare, Noor Kolima, u pranuan në spital pesë ditë më parë dhe janë të vetmet që kanë mbijetuar nga familja e tyre. Dildar humbi bashkëshortin, djalin e vogël dhe vjehrrën nga dhuna e ushtrisë.
“Familja ime u sulmua më 29 gusht. Ushtria erdhi dhe hapi zjarr pa dallim”, thotë Dildar.
“Vajza dhe unë në një farë mënyre i shpëtuam sulmit, por dy murgj që shoqëronin ushtrinë u përpoqën të na vrasin me një thikë të madhe. Ata menduan se ishim të vdekura dhe na lanë. Ne u fshehëm në shtëpi për tre ditë dhe më pas u arratisëm”.
Udhëtimi që ato ndërmorrën deri në kufi është i turbullt, thotë ajo. “Kisha kaq shumë dhimbje”.
Tetëvjeçari Mohammad Anas u rrëzua dhe u lëndua në fytyrë ndërsa arratisej nga Majnmari. Xhaxhai i tij, Syed Alam, qëndron me të në spital.
“Ne jemi nga fshati Lankhali, distrikti Mandua dhe u sulmuan tre ditë përpara Bajramit”, shpjegon Syed. “Ne u arratisëm drejt një kodrine aty pranë. Ishim 10 anëtarë të familjes kur u larguam, por vetëm gjashtë prej nesh ia dolën deri këtu. Nuk kemi asnjë të dhënë se çfarë u ndodhi të tjerëve”.
Sipas UNHCR-së, agjencisë së OKB-së për refugjatët, rreth 400 mijë refugjatë Rohingya kanë arritur në Bangladesh që prej 25 gushtit në atë që po cilësohet si “kriza më emergjente e refugjatëve e viteve të fundit”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/