Kriza e refugjatëve në Europë po kërcënon të krijojë një problem të fshehur, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se një numër fëmijësh që vijon të rritet janë pjesë e këtij brezi në krijim “pa shtetësi”.
Ligjet gjinore të shtetësisë në Siri të kombinuara me masat mbrojtëse ligjore të paefektshme në shtetet e Bashkimit Europian bëjnë që shumë fëmijë të lindur si refugjatë sirianë në Europë të përballen me rrezikun e mungesës së shtetësisë – një situatë e sikletshme që sjell margjinalizim e që aktualisht prek 10 milionë njerëz në të gjithë botën.
Sipas ligjit sirian, vetëm burrat mund të trashëgojnë shtetësinë tek fëmijët e tyre. Kombet e Bashkuara vlerësojnë se 25 për qind të familjeve siriane refugjate në BE, iu mungojnë baballarët.
“Një numër i madh i atyre që janë vendosur në Europë janë gra, bashkëshortët apo partnerët e të cilave janë vrarë, zhdukur dhe ato janë zhvendosur në vende të tjera jashtë Sirisë me fëmijët e tyre, ose janë shtatzëna. Një gjë e tillë po shndërrohet në një problem të madh”, thotë Zahra Albarazi e Institutit mbi mungesën e Shtetësisë, me seli në Holandë.
Sanaa (emrat janë ndryshuar për çështje privatësie) është një nënë e vetme 35-vjeçare e cila lindi vajzën e saj Siba në Berlin vitin e kaluar. “Shkova në ambasadën siriane dhe ia shpjegova situatën time, por ata më thanë se nuk mund t’i jepnin asaj një pasaportë për shkak se babai duhet të jetë sirian, ndërsa babai dhe nëna e foshnjes duhet të jenë të martuar”, thotë Sanaa.
Gjermania, sikundër edhe pjesa tjetër e Europës, nuk jep automatikisht nënshtetësi për fëmijët që lindin në këtë vend. Kjo do të thotë se Siba nuk ka shtetësinë e ndonjë vendi.
Sipas traktateve ndërkombëtare përfshirë edhe konventën e OKB-së për të drejtat e fëmijëve, qeveritë janë të detyruara të japin nënshtetësi për të gjithë fëmijët e lindur në territorin e tyre kur ata mbeten përndryshe pa shtetësi. Por, shumë pak shtete e kanë përshtatur legjislacionin e tyre me këtë parim dhe ata që e kanë përshtatur, nuk e zbatojnë.
Agjencia e refugjatëve e OKB-së, UNHCR vlerëson se të paktë 680 mijë njerëz në Europë janë pa nënshtetësi të ndonjë vendi, edhe pse ekspertët thonë se shifra e vërtetë ka gjasa të jetë shumë më e madhe për shkak se njerëzit pa nënshtetësi është e vështirë të llogariten.
Problemi i mungesës së nënshtetësisë është sidomos i vështirë në juglindje të Azisë: në Majnmar vetëm OKB ka llogaritur më shumë se 810 mijë njerëz pa nënshtetësi. Por edhe situata në Europë është në rrugën për t’u përkeqësuar po kaq shumë si rezultat i krizës së paprecedent të emigracionit.
Deri më tani, grupe të tilla si romët apo rusishtfolësit nga Balltiku janë ndikuar më së shumti, edhe pse Kombet e Bashkuara ia vënë fajin për mungesën e nënshtetësisë “një spektri të pabesueshëm shkaqesh”, pasi në këto grupe bëjnë pjesë njerëz me prejardhje vërtet shumë të gjerë.
Nuk ka ende asnjë studim për shkallën e pashtetësisë mes fëmijëve të refugjatëve sirianë në Europë, por mendohet se shumë prej tyre janë në të njëjtën situatë si Siba.
Mungesa e nënshtetësisë në Europë mund të shkaktojë probleme serioze. Ekspertët thonë se shumë prindër janë të pavetëdijshëm se fëmijët e tyre nuk kanë shtetësi. Shpesh, janë vetë fëmijët që e konstatojnë një gjë të tillë, që nuk kanë shtetësi të ligjshme e kjo vetëm kur arrijnë moshën madhore dhe kuptojnë se nuk mund të punojnë ligjërisht, të martohen, të kenë të drejtën e pronësisë, të votës e madje nuk mund të marrin as diplomën në shkollë.
Një raport i UNHCR-së, publikuar këtë muaj, thotë se mungesa e nënshtetësisë mund të ndalojë fëmijët “të jetojnë jetë produktive e të përmbushura” dhe krijon një bilanc shkatërrues psikologjik për ata vetë dhe familjet e tyre. Raporti citon një baba sirian refugjat që thotë: “Nëse ata nuk kanë çertifikatë lindjeje, është sikur të mos ekzistonin”.
Në vendet kufitare me Sirinë që kanë strehuar edhe numrin më të madh të refugjatëve, mungesa e nënshtetësisë është tashmë një problem madhor.
OKB thotë se më shumë se 30 mijë foshnje të lindura nga refugjatët sirianë në Liban rrezikojnë të mbeten pa nënshtetësi. Kërkimet nga shoqatat studimore këtë vit tregojnë se shumë nga 60 mijë foshnjet e lindura nga refugjatët sirianë në Turqi që prej vitit 2011 mund të gjenden në të njëjtën situatë.
Në këto vende, mbetja pa nënshtetësi është pjesërisht pasojë e pamundësisë së refugjatëve për të regjistruar foshnjet sipas të gjitha rregullave. Por, fëmijët e lindur si pasojë e një përdhunimi, apo ata të lindur nga vajza nën moshën madhore të martuara joligjërisht me burra nga vendet ku jetojnë si refugjate, janë sidomos të rrezikuara.
Mungesa e shtetësisë është një shqetësim serioz për çiftet që nuk kanë dokumentet e domosdoshme për të provuar statusin e tyre ligjor.
Rama dhe Rashed u larguan nga Siria ndarazi dhe u takuan në Turqi. Djali i tyre, Sayed u lind në Antakya, vetëm pak kilometra nga kufiri sirian.
Për shkak se ata u martuan në një ceremoni informale në Turqi, nuk kanë dokumentet ligjore për të provuar se janë të martuar dhe Rashed nuk përmendet në çertifikatën e lindjes së të birit. “Kush është ai? Cilës nënshtetësie i përket?”, pyet ai dëshpërimisht. Pa status ligjor, ata kanë frikë se djali i tyre nuk do të mund të shkojë në shkollë.
“Aktualisht çështja e mungesës së nënshtetësisë fshihet nga fakti se këta njerëz janë në sistemin e azilit”, thonë ekspertët. Por, sipas tyre, problem do të dalë fuqishëm pas pak vjetësh kur edhe lufta ka shpresë se mund të ndalet, por edhe kur qeveritë të nisin të vendosin se cilët njerëz duhet të kthehen. Atëherë do të ketë shumë situata kur njerëzve nuk do t’u zgjaten lejet e qëndrimit, por për shkak se ata nuk kanë nënshtetësi, nuk mund të kthehen pas.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/