Për dy ditë Kuvendi i Kosovës dështoi që të zgjedh kryeparlamentarin dhe nënkryetarët duke hyrë kështu vendi në një krizë të re politike.
Kjo situatë e krijuar ka zhgënjyer jo pak qytetarët të cilët kërkojnë që sa më parë të krijohen institucionet e reja dhe të vazhdohet me punë.
Aziz Kastrati, bashkatdhetar nga Amerika mendon se gjetja e një zgjidhje sa më të shpejtë për të tejkaluar krizën është në interes të Kosovës.
“Gjendja nuk është e mirë, mirëpo këta e dinë vet. Të gjithë e dinë. Mendimi im është që duhet të zgjidhen sa më shpejt është në interes të Kosovës, në interes të Amerikës”, tha Kastrati për “Ekonomia Online”.
Për Bujar Mullajakun nuk është aq me rëndësi se cila palë formon institucionet, pasi sipas tij asanjë prej qeverive nuk ka sjellë zhvillim të qëndrueshëm.
“Kushdo le të jetë, veç le të bohet mirë. Krejt i kemi provuar, asgjë përpara nuk kemi ec”, u shpreh Mullajaku.
Mirëpo ka edhe të atillë që kanë preferencat e tyre.
“Vetëvendosja ka me marrë. Duhet me qeverisë Albin Kurti. Kosovën duhet me udhëheq një kosovar, një shqiptar që është i mençur “, tha Pajazit Zenuni.
“Kryeministër Albin Kurti duhet me u zgjedh edhe kryeparlamentari duhet prej VV. Kushtetuta e thotë që duhet PAN me zgjedh, por ata numrat nuk i kanë”, deklaroi qytetari tjetër Zaxhid Nimani.
Kujtojmë se koalicioni PDK-AAK-NISMA, ka kërkuar që të mërkurën të mbahet një takim konsultativ me grupet parlamentare për arritjen e një marrëveshje për të caktuar datën për vazhdimin e seancës.
Lëvizja Vetëvendosje ka thënë që nuk do të marrin pjesë në këtë takim dhe se në asnjë mënyrë nuk do të votojnë në një pako kryeparlamentarin dhe kryeministrin. /tesheshi.com/