Gjashtëdhjetë persona janë vrarë nga plumbat në Suedi këtë vit, një numër rekord në historinë moderne të vendit nordik, sipas shifrave të publikuara së fundi nga qeveria.
Të shtënat janë bërë një plagë në Suedi vitet e fundit, pasi bandat kriminale kanë përhapur tentakulat e tyre në qendrat kryesore urbane, përfshirë kryeqytetin Stokholm.
“Viktimat e dhunës me armë janë rritur dhe për fat të keq numri ka vendosur një rekord të ri, të përgjakshëm këtë vit,” u tha gazetarëve ministri suedez i drejtësisë Gunnar Strömer. Sipas tij, Suedia ka 60 të vrarë nga plumbat këtë vit, krahasuar me katër në Norvegji, katër në Danimarkë dhe dy në Finlandë. Fenomeni është “maja e ajsbergut” e dhunës dhe krimit të organizuar të rrënjosur thellë në shtresat e shoqërisë sonë, tha Stromer.
Vitin e kaluar 45 persona u vranë nga plumbat në Suedi. Në vitin 2012 ishte vetëm 17, sipas Këshillit Kombëtar Suedez për Parandalimin e Krimit.
Stromer njoftoi krijimin e një këshilli të posaçëm, në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, i cili do të jetë i ngarkuar me koordinimin e veprimeve për të luftuar krimin e organizuar. “Asnjë shoqëri e denjë nuk mund të pranojë që çdo javë të vritet një person në rrugë”, theksoi ai.
Deri 20 vjet më parë, Suedia kishte një nga nivelet më të ulëta të krimit në botë, por tani të dhënat kanë ndryshuar në mënyrë drastike dhe regjistrojnë tregues shumë të rritur.
Qeveria e mëparshme e udhëhequr nga socialdemokratët kishte forcuar policinë dhe kishte vendosur dënime më të ashpra për dhunën me armë, mes masave të tjera për të luftuar krimin e organizuar. Një nga arsyet kryesore që ajo humbi zgjedhjet e shtatorit ishte se përpjekjet e saj rezultuan të pamjaftueshme.
Qeveria konservatore e Ulf Kristerson ka shtyrë për kontrolle më të rrepta në të gjithë vendin, duke dyfishuar dënimet për krimet e lidhura me bandat dhe duke zgjeruar mbikëqyrjen kriminale në atë që e përshkruan si përpjekjen më të madhe për të luftuar krimin e organizuar në historinë moderne të Suedisë. /tesheshi.com/