Kur Argjentina u përball me Francën në finalen e Kupës së Botës 2022 në Katar, përveç mbështetjes në shtëpi, miliona tifozë futbolli nga India dhe Bangladeshi, të cilët ishin në anën e ekipit të Amerikës së Jugut, i mbështetën edhe ata.
“Argjentina është vendi i Messit dhe Che Guevarës. Pavarësisht nëse ai fiton apo jo, unë do të vazhdoj të jem një admirues i vendosur,” tha Thomas Issac, një ekonomist dhe anëtar i Partisë Komuniste të Indisë në një raport të gazetës Guardian.
Dhe kjo i përgjigjet përafërsisht pyetjes se pse skuadra argjentinase ka kaq shumë tifozë mes banorëve të ish-kolonive britanike të Indisë dhe Bangladeshit.
Të gjitha për Maradonën dhe Messin
Në vendin e kriketit, futbolli ka pasur shumë adhurues që nga ditët e kolonizimit. Pas fitores së Argjentinës kundër Kroacisë në gjysmëfinale, turma futbolldashëse me fanella bardheblu marshuan nëpër rrugët e Kalkutës dhe Dakës duke brohoritur për Argjentinën dhe veçanërisht për heroin e saj Lionel Messi. Në qytetin me miliona njerëz në lindje të vendit, flamujt argjentinas dhe muralet kushtuar Messit janë kudo. Ekziston edhe një altar kushtuar Messit dhe paraardhësit të tij të madh Maradona.
Mbështetja e madhe për ekipin e futbollit të vendit në anën tjetër të planetit daton që në ditët kur Maradona shkëlqente dhe u vinte flakën fushave të futbollit botëror. Ata që mund ta përballonin, udhëtuan drejt Katarit për të mbështetur këtë herë pasardhësin e Maradonës, Messin.
Federata Argjentinase e Futbollit falënderoi zyrtarisht legjionin e mbështetësve nga Bangladeshi dhe India. “Faleminderit për mbështetjen e ekipit tonë. Ju jeni po aq të çmendur sa ne,” tha së fundmi Federata Argjentinase e Futbollit në një mesazh në Twitter që tregonte tifozët e Bangladeshit të veshur me fanella të Argjentinës. /tesheshi.com/