Kryepolici shqiptar Gledis Nano ka bërë një ndër pohimet më të bujshme, ku ka mohuar që krimi në Shqipëri të jetë i strukturuar në grupe apo klane të fuqishme.
Sipas tij, ky është një mit që përhapet nga vetë ata.
“Nuk ka grupe të fuqishme, këto janë mite që i krijojnë vet ata”, tha Nano nga Vlora, duke mos shkuar më tej se si ndodh kjo. Sepse, ky mit, nëse është i tillë, përhapet në media dhe në media dihet se kush është zëri më potent që merret me çështjet e krimit dhe që e potencon gjithnjë se sipas tij krimi është hapa përpara shtetit në mjete dhe metoda.
Ndërkohë, ai u tregua optimist kur deklaroi: “Do të goditen të gjitha grupet kriminale. Kemi hetime shumë serioze në dorë, do të shikoni rezultate shumë shpejt”.
Ndër të tjera, Nano pranoi sfidën e re më kanabisin, atë të kultivimit në ambiente të mbyllura.
“Po përballemi me shtëpi ku kultivohet kanabis me llamba, dhe OSHEE nuk ka asnjë raport për këtë. Ju kujtoj se kushdo që shpërdoron detyrën do të përballen me forcën e ligjit.
Po ashtu, kontrollet e territorit do të vijojnë me dronë e helikopter. Nuk jam këtu për t’ju shantazhuar, por duhet ushtruar kontroll me OSHEE-në për evidentimin e laboratorëve të drogës”, shtoi Nano. /tesheshi.com/