Kryetari i Komisionit të Venecias i ka dërguar një letër Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, i cili ka sulmuar ashpër reformën në drejtësi.
Gianni Buquicchio, i ka bërë të qartë Nishanit se institucioni që përfaqëson nuk futet në mosmarrëveshjet mes tij dhe mazhorancës, por do të japë opinionin thjesht për draftet që janë dërguar në organin e Këshillit të Europës.
“Më lejoni të theksoj se ndërsa përfshirja e Komisionit të Venecias nuk mund të zgjidhë të gjitha mosmarrëveshjet politike në një vend të caktuar, në opinionet tona kemi bërë thirrje gjithmonë për një proces gjithëpërfshirës politik që përfshin një spektër të gjerë aktorësh politikë. Ky është një argument edhe më i rëndësishëm kur bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese – dhe kjo është arsyeja pse, përveç projektit zyrtar, ne do të marrim parasysh edhe pikëpamjet alternative”, thekson kreu i Komisionit të Venecias në letrën drejtuar Nishanit. /tesheshi.com/