Dagllas Kosta është zyrtarisht lojtar i Bajernit. Mesfushori brazilian kreu me sukses vizitat mjekësore dhe mëngjesin e djeshëm nënshkroi një kontratë 5-vjeçare me rekordmenët gjermanë. 24-vjeçari do të mbajë veshur fanellën me numër 11.
Kosta u prezantua zyrtarisht, dhe më 11 korrik pritet t’u bashkohet bavarezëve në stërvitje. Për shkak se ishte i angazhuar me kombëtaren, ai do pushojë për disa ditë duke u grumbulluar njëkohë- sisht me lojtarët si Gëce, Shvajnshtaiger apo Boateng.
“Realizova një ëndërr. Jam i lumtur që u bëra pjesë e një klubi elitar dhe do të jap gjithçka për të përmbushur pritshmëritë”, nënvizoi Dagllas Kosta gjatë prezantimit para drejtorit sportiv Matias Zamer dhe shefit të financave Dresen. Teksa humbi penalltinë me Brazilin, Kosta është informuar mbi gjuajtësit e Bajernit. “Mesa jam informuar, penalltitë i gjuan Tomas Myler ose David Alaba. Por, të gjithë ne do të përmirësohemi për të qenë të saktë në çdo drejtim.
Penalltia është fat, por do të jem i gatshëm të marr edhe të tilla përgjegjësi”, u shpreh braziliani. Drejtori sportiv Matias Zamer i ka thurur elozhe mesfushorit brazilian. “Dagllas Kosta do të vijë në ndihmë të skuadrës sonë. Ai ka aftësi të larta teknike, është i shpejtë, i lëvizshëm, fleksibël, si dhe ka një të majtë vdekjeprurëse. Ne jemi shumë të kënaqur që ai zgjodhi klubin tonë. Bajerni ka kohë që e vëzhgon dhe analizon paraqitjen e tij. Parametrat e tij i përmbushin kriteret që kërkon Bajerni”, u shpreh Matias Zamer. /tesheshi.com/