Kosova është bërë anëtare me të drejta të plota e Asamblesë Parlamentare të Grupit të Bashkëpunimit të Vendeve të Evropës Jug-lindore, SEECP.
Lajmi është komunikuar paraditen e kësaj të shtune në Tiranë nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta dhe homologu i tij kosovar Kadri Veseli, që ka ndjekur punimet e kësaj nisme në kryeqytet.
“Është një arritje historike integrimi i Kuvendit të Kosovës në institucionet rajonale, si dhe pranimi i Kosovës me të drejta të barabarta në takimet e vendeve të tjera të Evropës jug-lindore. Kjo do të ndihmojë ndjeshëm në integrimin e rajonit”, ka thënë Meta.
“Është një arritje e madhe. Falenderojmë të gjithë ata që na kanë mbështetur për t’u anëtarësuar në këtë asamble. Falenderoj në veçanti shtetin shqiptar dhe në mënyrë personale zotin Meta”, ka thënë nga ana e tij Veseli.
Lajmi është rikonfirmuar pak më vonë edhe nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
“Kosova është anëtarësuar me të drejta të plota në SEECP. Kosova tashmë do të përfaqësohet nga Parlamenti i saj në nismat rajonale”, ka thënë Balla.