Tri partitë opozitare në Kosovë, Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën shumë shpejt pritet të nisin betejën e dytë kundër qeverisë “Mustafa”, ku do dalin sërish në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e saj.
Një mundësi të tillë e ka lënë të hapur kreu i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca pas një takimi që zhvilloi me shefin e grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj dhe deputetin e NISMA-s, Haxhi Shala, ku së bashku kërkuan rrëzimin e qeverisë pas mosrespektimin e rezolutës për rrënimin e murit në veri.
Konjufca, tha se “opozita është e bashkuar për tema nacionale dhe se nëse është nevojshme do të organizojnë edhe protesta edhe demonstrata varësisht nga rrethanat”.
Kritika në drejtim të qeverisë aktuale drejtoi edhe Lekaj i cili deklaroi se zgjedhja më e mirë është që kjo qeveri të dorëhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje.
“Sot është data 1 shkurt dhe qeveria ka dështuar në zbatimin e rezolutës për rrëzimin e murit e cila është votuar edhe nga deputetët e mazhorancës. Shpërfillja në këtë mënyrë të Kuvendit, tregon përcaktimin e kësaj qeverie për shkeljen konstante të demokracisë”, ka thënë Lekaj.
Kujtojmë që opozita së bashku për shtatë muaj protestoi brenda dhe jashtë Kuvendit duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë po nuk ia arriti qëllimit dhe më pas ju kthyen punës në institucioneve. /tesheshi.com/