Kosova është kualifikuar në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror të shteteve në zhvillim. Skuadra e Taib Kabashit e bëri një paraqitje mjaft të mirë të mërkurën, duke e mposhtur Estoninë me rezultat 31:30, në ndeshjen çerekfinale, e cila u zhvillua në Prishtinë, në prani të rreth 500 shikuesve, shkruan Zëri.
Ndeshja ishte e nivelizuar, edhe pse kosovarët udhëhoqën në pjesën më të madhe të lojës. Estonezët ishin në epërsi prej tre golash, në minutat e parë të lojës, por më pas gjithçka foli shqip. Kosova e mbylli pjesën e parë me tre gola dallim, 17:14.
Dhe, kosovarët e siguruan epërsinë më të madhe deri në katër gola, 21:17, por kryesisht avantazhi i tyre ishte prej 2-3 golash, pa i lejuar kundërshtarit të afrohej më shumë. Në fund, ekipi vendës ishte më i përqendruar dhe fitoi me plot meritë, duke e siguruar kualifikimin historik në gjysmëfinale.
Kreshnik Krasniqi ishte njeriu i ndeshjes tek Kosova me 10 gola, ndërsa me nga 5 gola shkëlqyen edhe Ylber Mjeku e Egzon Xhuka. Me paraqitje të mirë u dallua edhe portieri Arbër Curri, i cili ndali plot gjuajtje të estonezëves. Kosova do të luajë në gjysmëfinale të enjten.
Kosova e nisi kampanjën në këtë eveniment në mënyrë të shkëlqyer, duke e mposhtur Armeninë me rezultat të thellë, 60:17. Më pas, kosovarët e mposhtën edhe Australinë, 31:24, duke e siguruar kualifikimin në çerekfinale, ndërsa humbën në duelin e tretë të fazës së grupeve nga Ishujt Faroe, 30:36. /tesheshi.com/