Komunikimin e tij javor në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama ia ka kushtuar opozitës dhe pretendimit të saj për votim dhe numërim elektronik në zgjedhjet e qershorit. Dy ditë pasi ia sqaroi opinionit qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje rrugës duke ardhur nga Singapori, Rama e ka potencuar dhe mbrëmjen e kësaj të diele “Jo”-në e tij dhe të mazhorancës që përfaqson karshi këmbënguljes së opozitës.
“Në havanë e një debati politik po rrihet së fundmi uji i votimit elektronik… nuk vlen të kujtohet sesa shumë e ka kundërshtuar qeveria e shkuar në pushtet, atë që sot po kërkon si një çelës magjik të derës së shpëtimit, nga përballja e thjeshtë e të vërtetës se nuk ka asnjë shans të fitojë zgjedhjet”, tha Rama duke zgjedhur ta tolerojë gjithsesi në një pikë, por ku dhe atje është e pamundur të marrë “ok”, OSBE/ODIHR. Rama shtoi se nëse ekspertët e e kësaj të fundit do ta propozojnë futjen e teknologjisë në zgjedhje, atëherë qeveria është e gatshme të pranojë.
Por siç dihet, OSBE/ODIHR e ka thënë troç fjalën e saj për pamundësinë teknike të këtij lloj votimi, në raport edhe me kohën e pamjaftueshme deri në qershor.
Por për shefin e ekzekutivit shqiptar, është e padiskutueshme që karta e votim-numërimit elektronik që po luan opozita, është një orvatje e dështuar që kërkon të justifikojë humbjen që e pret në qershor.
Pas çdo disfate, në Korçë, Dibër e Kolonjë, atëherë kuptohet që ndaç me kuti, ndaç me elektronikë ose ndac me frymën e shenjtë, ata do të vijojnë të thonë se fitorja jonë është një fitore e grabitur”, theksoi Rama. /tesheshi.com/