Kryeministri Edi Rama prezantoi sot platformën bashkëqeverisëse, të cilën qytetarët do ta përdorin për të marrë përgjigje direkte nga eprorët më të lartë, që janë ministrat.
Rama tha se çdo qytetar mund të realizojë një denoncim me qëllim që të sensibilizojë qeverinë.
“Përmes platformës njerëzit do marrin përgjigje dhe përgjegjesi për çdo ankesë dhe për çdo vlerësim të shprehjes së dëshirës. Në këtë platformë çdo qytetar mund të realizojë një denoncim në media, me qëllimin që të sensibilizojë qeverinë.
Të gjitha denoncimet në media, apo kudo tjetër janë të mirëseardhura. Por kjo platforma krijon mundësinë që ta zgjidhësh problemin direkt.
Duke përdorur këtë platformë njerëzit marrin në dorë një armë për të luftuar të drejtat e tyre dhe i japin mundësi vetes që në këtë luftë të jenë me qeverinë në krah”- tha Rama
Më 31 korrik nisën aplikimet për anëtarët e rrjetit që do të koordinojë platformën dhe Kryeministri Rama thotë se kanë qenë 800 aplikime që janë shqyrtuar nga një komision i posaçëm për të mbërritur tek përzgjedhja e 25 anëtarëve.
Kryeministri thotë se platforma do të ndihmojë qeverinë në përmirësimin e performancës së saj./tesheshi.com/