Policia e Tiranës ka shoqeruar 6 persona të dyshuar për shpërthimet me tritol të ndodhura me 10 shkurt në Tiranë, në farmacinë e Bashkim Tahirit, babait të ministrit të brendshëm. Në Drejtorinë e Policisë së Tiranës është bërë shoqërimi i tyre në orët e para të mëngjesit të sotëm. Në mesin e personave të ndaluar janë dhe dy kushërinjtë e Emirjon Gjutës, Muhajdin dhe Pajtim Gjuta. Emirjon Gjuta, u arrestua disa ditë më parë pasi nën identitetin e tij rezultonin se ishin regjistruar kartat telefonike në celularët nga ku u komanduan shpërthimet. Dy kushurinjtë e Gjutës po merren në pyetje nga 2 prokurorë të Krimeve të Rënda dhe hetues të Drejtorisë së Përgjithme të Policisë së Shtetit. Shoqërimi i tyre në polici është bërë për të hedhur dritë mbi ngjarjet e bujshme në Tiranë. Me 16 shkurt gjykata vendosi “arrest me burg” me afat të përcaktuar prej dy javësh, për 24-vjeçarin Emirjon Gjuta. Kjo kohë do t`i shërbejë Prokurorisë të hetoje dhe të zbardhë rolin e të të pandehurit Gjyta në shpërthimet me tritol të ndodhura në Tiranë.